19 komuna organizuan Panairin e Sportit 2019, bëhet thirrje për t’i joshur fëmijët për t’u marrë me sport

16:24 | 22 Tetor 2019
Arbresh.info

Komiteti Olimpik i Kosovës bashkë me 19 komuna të ndryshme të Kosovës ka organizuar sot edicionin e pestë të Panairit të Sportit 2019, në të cilin morën pjesë qindra klube dhe nxënës të Shkollave Fillore.

Qëllimi i Panairit ishte masivizimi dhe joshja e fëmijëve për t’u marrë me sport. Nëpër të gjitha komunat, klubet e ndryshme të qyteteve demonstruan sportet e tyre.

Ky edicion përkoi edhe me 5-vjetorin e marrjes së vendimit historik të Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, të cilët më 22 tetor 2014 vendosi të njoh Komitetin Olimpik të Kosovës, njohje kjo që i hapi rrugën sportistëve tanë dhe federatave sportive të anëtarësohen në Federatat Ndërkombëtare.

Komunat që e organizuan Panairin ishin: Gjilani, Gjakova, Peja, Ferizaj, Mitrovica, Podujeva, Drenasi, Vushtrria, Deçani, Obiliqi, Vitia, Kaçaniku, Fushë Kosova, Rahoveci, Hani I Elezit, Suhareka, Istogu, Kamenica dhe Malisheva, ndërsa Dragashi e ka organizuar më 1 tetor.

Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, nga Panairi i Sportit në Gjilan, duke folur për 5-vjetorin e njohjes së KOK-ut, foli edhe për medaljen e artë të Majlinda Kelmendit, si dhe qëllimin e Panairit.

“Qëllimi i Panairit është që ju të demonstroni shkathtësitë e juaja dhe të jeni atraktiv për djemtë dhe vajzat e reja që të merren me sport dhe ju bëjë thirrje arsimtarëve, prindërve, gjyshërve etj, që t’i inkurajojnë fëmijët që të merren me sport”, tha ndër të tjera presidenti Hasani.

I pranishëm në Gjilan ishte edhe kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, i cili e përgëzoi presidentin Hasani për punën e bërë në ndërkombëtarizimin e KOK-ut, derisa kërkoi që talentët e rinj që do të merren me sport shumë, shpejtë do të bëhen sportistë Olimpikë.

Edhe në komunat tjera, si në Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj, Podujevë, pati organizim madhështor derisa morën pjesë kryesisht kryetarët e komunave dhe drejtorët e sportit, si dhe përfaqësues të KOK-ut, të cilët ftuan nxënësit që të largohen nga rrugët e këqija dhe të aktivizohen në klubet sportive të komunave të tyre.

Prishtina, Prizreni, Klina, Lipjani dhe Skënderaj, ishin komunat që për arsye të ndryshme nuk e organizuan Panairin.

Pamje dhe detaje tjera nga Panairi i Sportit 2019, të organizuara në komunat tjera, mund të gjeni në faqen zyrtare të KOK-ut në Facebook.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme