140 milionë euro ishin përfitimet për organizimin e Conference League për kryeqytetin shqiptar

22:50 | 26 Maj 2022
KRG

Finalja e Ligës së Konferencës që u mbajt në Tiranë nuk ishte thjesht një ndeshje futbolli, por një ngjarje me rëndësi për Shqipërinë.

Por, mbi të gjitha ishte një mundësi e artë për shumë biznese. Rreth 140 milionë euro vlerësohet të jetë impakti në ekonomi për të gjitha bizneset që u kanë shërbyer mijëra tifozëve të ardhur në vend.

“Qarkullimi i gjithë aktivitetit që sjell në Tiranë llogaritet në 140 milionë euro, ky i bërë sipas specialistëve. Duken si shumë, por duke llogaritur një natë qëndrimi 1000 euro  për një futbollist, lehtësisht arrihen”, ka thënë kryetari i FSHF, Armando Duka.

Zinxhiri i përfituesve nga të ardhurat e gjeneruara nga ky event ishte i konsiderueshëm. Shpenzimet më të mëdha duket se kanë shkuar për akomodimin pasi çmimet e hoteleve dhe strukturave të tjera arritën në shifra rekord, deri edhe në 3000 euro një natë qëndrimi për hotelet rreth stadiumit veçanërisht.

Por, nga rasti përfituan edhe qytetarët të hidhnin me qira apartamentet e tyre.

Mjaft fitimprurës ky event ishte edhe për bizneset e shërbimit, kafenetë, baret, restorantet, markete e supermarket, veçanërisht ato që ndodheshin pranë ‘fan zonave’, ku kanë qëndruar tifozët e dy skuadrave, e jo vetëm.

Të favorizuar nga ky eveniment ishin edhe taksistët që përfituan nga fluksi i tifozëve. Vetëm ditën e ndeshjes, mbi 20 mijë udhëtarë mbërritën në vend nga Aeroporti i Rinasit.

Mundësinë e artë e shfrytëzuan edhe vetë qytetarët me shitjen e biletave në treg të zi, dorazi apo përmes rrjeteve sociale.

Çmimet e biletave nisnin nga 20 euro, por në rrjetet sociale të shumë ishin individët që i shisnin ata edhe për më shumë se 500 euro./TCH/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme