Google ADS

Arben Fetahu, anëtar i ri i Bordit Ekzekutiv të KOK-ut

20:18 | 31 Janar 2024
D.H

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, është emëruar anëtar i ri i Bordit Ekzekutiv (BE) të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK).

Pikërisht BE ka miratuar unanimisht propozimin e presidentit Ismet Krasniqi, deri në miratimin nga Asambleja e Punës së KOK-ut, përcjell Arbresh.info.

Fetahu do të zëvendësojë Jeton Beqirin, ish-kryetar i Federatës së Pingpongut të Kosovës (FPPK), i cili në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar dha dorëheqje nga FPPK dhe KOK për shkak të angazhimit me punë jashtë vendit.

Beqiri ishte emëruar anëtar i BE me propozim të presidentit Ismet Krasniqi dhe bazuar në statutin e KOK-ut, edhe zëvendësimi i tij, në këtë rast emërimi i Fetahut u bë me propozimin e presidentit.

“Emërimi i Fetahut është vlerë e shtuar për KOK-un, dhe jemi shumë të kënaqur që do ta kemi në mesin tonë. Së bashku do të vazhdojmë drejt projekteve të reja. Ashtu siç ka dhënë kontribut në avancimin e FBK-së, Arbeni do të japë edhe për KOK-un dhe gjithë lëvizjen olimpike”, ka thënë presidenti Krasniqi.

Fetahu krahas pozitës së kryetarit në FBK, është edhe anëtar i Bordit të FIBA Evropës, nënkryetar i Komisionit Evropian për të rinj në FIBA, si dhe anëtar i komisionit ligjor në KOK./Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme