Google ADS

​Albin Tahiri kryen me sukses misionin e parë drejt fitimit të normës Olimpike “Pekini 2022”

13:53 | 20 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Albin Tahiri ka fituar pikët e para Olimpike në rrugën e gjatë për të fituar normën për Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022.

Skitari ynë ka përfunduar sot në vendin e 17-të nga 67 garues në disiplinën e sllallomit në garën e Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS), që po mbahet në Soriska Planina të Sllovenisë.

Kushtet e vështira që mbretëruan bënë që 48 garues të mos e përfundojnë garën.

Tahiri është shprehur i lumtur me paraqitjen, e cila i solli 117 pikë Olimpike.

“Lëshimi i parë ishte shumë i vështirë, shumë garues nuk mundën ta përfundojnë, ndërsa unë po ashtu bëra shumë gabime, pasi kishte shumë mjegull, kishte pamje të keqe, si dhe shumë gunga, por dola i 29-ti. Në të dytën startova si i dyti dhe kisha përparësi, me ç’rast bëra një lëshim shumë më të mirë, ku përfundova i 17-ti. Në përgjithësi jam i kënaqur, por kam mundur të bëjë edhe më mirë”, deklaroi Tahiri për Komitetin Olimpik të Kosovës.

“Sa i përket pikëve të FIS-it, kam fituar 117. Për t’u kualifikuar në Olimpiadë më duhet të përsërisë edhe katër herë të tjera rezultatin e sotëm”, shtoi ai.

Tahiri kishte fituar normën Olimpike në LOD PyeongChang 2018 në pesë disiplina të skijimit alpin.

31-vjeçari do të garojë edhe nesër në garën e njëjtë dhe disiplinën e njëjtë, për çka i urojmë fat dhe suksese.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme