Ditëve të fundit Shqipëria ka pasur një tendencë në rritje të rasteve të reja me COVID-19 dhe paralelisht janë shtuar dyshimet se po qarkullon edhe varianti “Delta” i këtij virusi, edhe pse zyrtarisht nuk ka ende asnjë rast të regjistruar.
Po ashtu, procesi i vaksinimit është duke vijuar me shifrat e fundit që flasin për 1,123,253 vaksinime në të gjithë vendin, me katër lloje vaksinash.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini tregon për KosovaPress, se kanë zgjedhur politika të vaksinimit të bazuara në ekspertizën e Institutit të Shëndetit Publik me ditë e javë të hapura siç është aktualisht.
Tomini tregon se qeveria shqiptare po mundohet të qëndrojë pranë edhe ndaj atyre që jetojnë në zona të thella apo ndaj atyre që nuk kanë qasje të lehtë për vaksinim, duke vënë në funksion makina lëvizëse.
Megjithatë, javën e fundit ka pasur ndryshim të shifrave të personave të infektuar me COVID-19.
“Aktualisht në dy ditët e fundit që flasim kemi pasur një tendencë në rritje të rasteve, nuk ka ndryshuar numri i rasteve që kanë kërkuar hospitalizim. Por, ndërkohë duhet të theksojmë që rastet hospitalizuar kanë qenë raste të vaksinuara dhe prandaj ne shpesh kemi bërë thirrje që sa më herët të vaksinohemi për një para përgatitje kundrejt vjeshtë-dimër. Kemi raste aktive që aktualisht që po flasim janë rreth 190 raste aktive në territorin e Shqipërisë, që peshën më të madhe e mban Tirana”, shton Tomini.
Shqipëria ka ecur me ritme më të shpejta me vaksinimin e popullatës. Tomini tregon se cila prej katër llojeve të vaksinës është shpërndarë më shumë.
“Vaksina më e shpërndarë është Sinovac, vaksina e quajtur kineze. Më pas vjen AstraZeneca dhe Pfizer dhe Sputnik me një sasi më të vogël. Dhe ndërkohë në varësi të periudhave të ndryshme, të kontratave të lidhura nga qeveria shqiptare, qoftë nga donacionet e BE-së dhe donacioneve të tjera. Sigurisht që në periudha të caktuara predominon, herë njëra, herë tjetra, por vaksina më masive ka qenë vaksina kineze me përqindje më të lartë”, shprehet ajo.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë tregon për KP se ende nuk ka persona të infektuar me variantin “Delta”. Përkundër dyshimeve, aktualisht janë në pritje të rezultateve të mostrave të dërguara në laboratorin e Berlinit.
“‘Delta’ parashikohet që në muajin gusht të zotërojë 90 për qind të shteteve të botës me prezencën e tij. Nga Instituti i Shëndetit Publik kemi hasur disa sinjale apo detektuar sinjale për kundrejt mostrave të dyshimta një grup prej të cilave që janë detektuar janë dërguar në laboratorin e Berlinit për t’u konfirmuar për sinjalet të dyshuara të ‘Deltas’. Por gjithsesi deri në konfirmimin e tyre ne jemi zyrtarisht pa asnjë rast të konfirmuar me ‘Delta’. Nga ana tjetër kontaktet e ngushta janë të dhëna tipologjike të cilat e përforcojnë sinjalet epidemiologjike që janë të dyshimta. Prandaj hedhim hipotezën që ka gjasa që mund të qarkullojë, por asgjë e sigurt”, u shpreh zëvendësministrja.
Tomini deklaroi se në rast të përhapjes së variantit “Delta” mund të rishikohen masat anti-COVID.
“Janë duke u rishikuar të gjitha protokollet për ndjekjen e rasteve të COVID-19, plani strategjik përkundër vjeshtë-dimër. Sigurisht që janë duke u rishikuar përkundër një përgjigje sa më korrekte dhe në kohë për detektimin e rasteve sa më herët. Gjithçka varet nga vlerësimi epidemiologjik, situata epidemiologjike, konfirmimi i varianteve në vijimësi për t’iu përgjigjur pastaj me masa qoftë parandaluese”, përfundon Tomini.
Aktualisht të gjitha spitalet COVID në Shqipëri janë mbyllur dhe rastet që kërkojnë hospitalizim janë në Infektivë.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...