​Shpërthimi në Velipojë, prokuroria nis hetimet

16:18 | 29 Korrik 2017
Arbresh.info

Prokuroria nisi hetimet për ngjarjen e Velipojës. Nën hetim është pronari i lokalit ku shpërtheu zjarri, Besnik Zejnunaj. Ndaj tij bëri padi edhe Inspektoriati Teknik.

Ndërkohë, ai së bashku me të birin 33-vjeçar ndodhet i shtruar në repartin e djegieve në QSUT, në gjendje kritike për jetën. Të dy u plagosën rëndë nga shpërthimi, që lëndoi edhe disa persona të tjerë dhe vuri në rrezik jetën e shumë pushuesve.

Ndërsa një vajzë nga Kosova, e cila gjithashtu u dëmtua, është në spital jashtë rrezikut për jetën. Sipas verifikimeve të para të policisë dhe prokurorisë, çisterna e gazit me 1 mijë litra ishte vëndosur poshtë lokalit, në një bodrum jashtë kushteve teknike dhe pa lejet përkatëse.

Grupi hetimor bën të ditur se rrjedhja e gazit ka ardhur nga çisterna, e cila ka provokuar më pas shpërthimin dhe përhapjen e flakëve, ndërsa bombolat në lokal nuk kanë shpërthyer. E para që u erdhi në ndihmë të plagosurve ishte një pushuese, e cila u përpoq të hiqte nga rrezja e shpërthimit një nga të lënduarit kur të gjithë të tjerët ikën të trembur. E dëmtuar nga ngjarja ishte edhe infermierja e qendrës shëndetësore të Velipojës. Ajo ishte e para që mbërriti në vendin e ngjarjes për të ndihmuar të plagosurit. Një ditë pas ngjarjes, Vjollca Voci ishte duke ndihmuar një tjetër pushues në Velipojë që i shpëtoi mbytjes në det. Infermierja doli në mbrëmje nga spitali. “Në momentin që kam hipur në ambulancë kam telefonuar zjarrfikësit.

Kur kemi mbërritur aty kemi gjetur njerëz duke bërtitur e të trembur. Asnjë nuk i ishte afruar djalit të plagosur. Iu afrova dhe i thash ‘rri i qetë se je mirë’”, tregon Voci. Vetë ajo ishte e lënduara e katërt, e cila u dergua ne spital, por fatmirësisht pa dëme serioze. “Kur hyra në pallat, tymi më asfiksoi dhe nuk mbaj mend gjë. Dola jashtë dhe kur arrita në spital kuptova që isha në duart e mjekëve”, thotë infermierja. Gjatë punës në qendrën shëndetësore të Velipojës, ajo ka ndihmuar shumë persona në vështirësi, por ngjarja e së premtes ishte më e rënda. “Si ky rast nuk ka ndodhur ndonjëherë. Druheshim për më shumë njerëz të lënduar, por falë Zotit mbaroi me aq”, shton Vocaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme