Zyrtari i lartë i DASH takon Ramën

17:05 | 8 Prill 2019
Arbresh.info

Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, Matthew Palmer ka mbërritur në Tiranë.

Prej gati një ore, ai ndodhet në godinën e kryeministrisë ku po zhvillon një takim me kryeministrin Edi Rama. Mesditën e të martës, ai do të takohet me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Ndërkohë që gjatë pasdites, zyrtari i lartë amerikan do të shkojë në Presidencë për të takuar Presidentin Ilir Meta. Ne axhendën e tij Palmer ka planifikuar dhe një takim me një grup gazetarësh. Palmer vjen në Shqipëri në kuadër të një turi në Ballkan, ndërkohë që e gjen vendin tonë në një situatë të tensionuar politike.

Opozita mban më 13 Prill protestën kombëtare të radhës me kërkesën për një qeveri tranzitore për përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme të lira e të ndershme, ndërkohë që kryeministri Rama është shprehur kategorikisht kundër kërkesës së opozitës, ndërsa shprehet se zgjedhjet parlamentare do të mbahen në vitin 2021./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme