Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka bërë të ditur dje se 1/3-a e Forcave të Armatosura është angazhuar në operacionet e shuarjes së zjarreve në të gjithë vendin. Në një konferencë për shtyp, Kodheli ka bërë të qartë që situata është dramatike dhe për këtë duhet të kontribuojnë edhe qytetarët, duke ndihmuar dhe duke mos krijuar situata të zjarrvënies.
“Kjo është një situatë dramatike jo vetëm për Shqipërinë, por për Europën mbarë. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve për të kontribuar në përballimin e situatës. U bëj thirrje edhe që të mos e krijojnë këtë situatë”, ka thënë dje Kodheli. Operacionet e Forcave të Armatosura, sipas ministres së Mbrojtjes, kanë kushtuar rreth 30 milionë lekë.
“Situata klimaterike është jashtë normales, e theksoj edhe në Shqipëri për shkak të temperaturave tejet të larta dhe reshjeve pothuajse inekzistente. E kjo e ka çuar në fakt vendin drejt një situate realisht shumë, shumë të vështirë. Kjo ka bërë që Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të jenë në krye të detyrës dhe të ndërhyjnë në ndihmë të komunitetit me të gjitha kapacitetet që ato kanë. Ka një angazhim maksimal nga ana jonë dhe nga ana e qeverisë për ta përballuar këtë situatë. Kryeministri Rama ka ndjekur nga afër dhe vazhdon të ndjekë në vazhdim në detaje të gjitha operacionet e ndërmarra nga strukturat shtetërore me përfshirjen e plotë të EC, pushtetit lokal dhe sigurisht dhe të mbështetura fort nga Forcat tona të Armatosura”, ka thënë ministrja e Mbrojtjes.
OPERACIONET
Kodheli bëri një rezyme të ndërhyrjeve të Forcave të Armatosura për shuarjen e zjarreve, shpërndarjen e tyre, numrin e efektivëve dhe mjeteve të angazhuara, si edhe koston e deritanishme.
“Gjatë një muaji kalendarik ushtarakët tanë kanë zhvilluar plot 102 operacione në ndihmë të komunitetit. Këto operacione janë zhvilluar në 9 qarqe nga 12 që ka vendi. Janë angazhuar 2750 forca, që në fakt janë 1/3-a e Forcës sonë të Armatosur, ose 40% e njerëzve që janë në uniformë. Janë përdorur gjithashtu 320 mjete motorike. Gjithë helikopterët e Forcës Ajrore kanë qenë në detyrë, kanë zhvilluar pa ndërprerje fluturime rikonicioni dhe kanë marrë pjesë madje edhe në angazhime direkte dhe konkrete në shuarjen e flakëve. Ekuipazhet fluturuese kanë fluturuar rreth 143 orë”, ka thënë ajo.
Ministrja Kodheli falënderoi efektivët e Forcave të Armatosura për sakrificën dhe përkushtimin, duke mos harruar të përmendë tetar Skënder Hidrin që u lëndua në përpjekje për të shuar zjarrin në malin e Derjes, në Shëngjergj të Tiranës, dhe për të cilin akordoi medaljen “Për shërbime të shquara”.
SITUATA
Edhe dita e djeshme ka shënuar një numër të konsiderueshëm vatrash zjarri, një pjesë e të cilave janë vënë në mënyrë të qëllimshme, por në tërësi ato janë favorizuar edhe nga temperaturat e larta. Sipas Drejtorisë së Emergjencave Civile, në të gjithë vendin janë numëruar rreth 9 vatra zjarri.
Më problematik ka qenë zjarri në qytetin e Laçit, në malin afër afër Kishës së Shna Nout, zjarri rrezikon një masiv të madh me pisha, ku është e vështirë ndërhyrja për shkak të mungesës së rrugës. Dje gjatë ditës avionët nga Greqia kanë zhvilluar operacione të tjera për shuarjen e vatrave në Dukat të Vlorës. Në këtë zonë, që ndodhet pranë parkut të Llogorasë, sipas Drejtorisë së Emergjencave Civile zjarri është asgjësuar plotësisht, pasi dogji 60 hektarë me shkurre.
Po ashtu, zjarri është vënë nën kontroll edhe në fshatin Tragjas të Orikumit. Në Dibër operacionet nga ajri kanë vazhduar në vendin e quajtur “Gurra e Sllatinës”, në fshatin Sllatinë dhe në Ulëz të Burrelit. Vatra e zjarrit në liqenin e Dushkut, në Gramsh, është ende aktive. Ndërhyrja nga toka atje ka qenë e pamundur për shkak të terrenit të thyer malor.
Në Skrapar zjarri i rënë në orët e paradites ka vënë në rrezik Parkun e rezervatit të Bogovës. Në Fushë- Krujë, deri tani numërohen 200 rrënjë ullinj të djegura. Zjarri vazhdon prej pasdites të së dielës në Krrabë, në afërsi të tunelit Tiranë-Elbasan. Ndërkohë, operacionet për shuarjen e flakëve po vijojnë edhe në malin e Dajtit me 2 automjete zjarrfikëse.
Akrepi – Horoskopi vjetor për 2025: Janari sjell para, shtat...
Parashikimi i motit për vikend, kryesisht i vranët dhe inter...
Këto ishin momentet më pikante nga darka e të nominuarve
Vetura godet një këmbësor në Prishtinë
Pas shikimit të video-incizimeve, avokati i Andi Pajazitit t...
Kurti në Llap tregohet kreativ: PO, DUJE VV