Vatra zjarri vijojnë të mbeten aktive në zonë e mbrojtur të pishave (Pishë-Poro) në bregdetin e Semanit, në Fier.
Krahas ndërhyrjes nga toka, Shqipëria ka kërkuar ndihmën e mbrojtjes civile europiane, e cila sot zhvilloi operacione me dy avionë në zonë.
Prefekti i Fierit, Lefter Shehaj i tha Zërit të Amerikës se sipërfaqja e djegur nga zjarret në harkun e një jave llogaritej në 700 hektarë, ku dëmet më të mëdha përllogariten në masivet me pishën e egër bregdetare.
Një pjesë jo e vogël e sipërfaqes së përgjithshme prej rreth 1500 hektarë, pjesë e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta është prekur nga zjarri i ditëve të fundit.
“Sipërfaqja e matur në mënyrë të përafërt është 600 deri 700 hektarë ku përfshihen sipërfaqe barishtore, shkurre, toka bujqësore dhe bimësi e lartë pishe”, thotë zoti Shehaj.
Prefekti i Fierit tha se në fillim zjarret janë menaxhuar nga repartet zjarrfikëse vendore, më pas është kërkuar ndihma e disa qarqeve në vend dhe më pas edhe ndihma e emergjencave europiane.
“Ky ka qenë një operacion shumë i vështirë për t`u përmbushur vetëm me kapacitet e bashkisë së Fierit. Më vonë pasi kemi parë se zjarret kishin një shtrirje të gjerë në territor kemi kërkuar mbështetje nga qarqet fqinje dhe kemi siguruar mbështetje nga Qarku Beratit , Qarku Tiranës, Qarku i Gjirokastrës dhe i Vlorës”, thotë ai.
I pyetur nga gazetarët një ditë më parë se a ishte vonuar ndihma e kërkuar për ndërhyrje nga ajri, Ministri i Mbrotjes Niko Peleshi tha se kërkesa ishte bërë në kohën e duhur.
“Mekanizmi aty ka qenë dhe si edhe e patë po operon. Sapo kërkuam solli mbështetjen. Ne në krye të punës kemi qenë. E kemi kërkuar kur e kemi gjykuar që është i nevojshëm. Nuk është se e kërkuam dhe u vonua disa ditë. Pra nuk kemi humbur kohë për ndërhyrjen nga ajri”, tha zoti Peleshi.
Autoritetet vendore thonë se nuk ka pasur dëmtime në njerëz apo në banesa, ndërkohë që disa herë zjarri u është afruar zonave të banuara.
Sipas specialistëve era e fortë bregdetare ka favorizuar zjarret, ndërsa në terren ka pasur pak mundësi për ndërhyrje pasi sidmos në masivin me pisha mungojnë koridoret ku mund të hyjnë repartet zjarrfikëse apo parcelat e ndara ku zjarret nuk mund të kalojnë nga një siperfaqe në tjetrën.
Ndërsa vëmendja e reparteve të emergjencës vijon të jetë e madhe në zonë pasi zjarret bëhen herë pas here aktive edhe kësaj here situata ka provuar nevojën e forcimit të kapciteteve sidomos të bashkive me mjete dhe burime njerëzore për ndëhyrjet në terren./voa
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...