Zjarret në Gjirokastër, u dogjën 600 hektarë me kullota

11:33 | 17 Gusht 2017
Arbresh.info

Rreth 600 hektarë, kryesisht kullota dhe shkurre, janë djegur në 6 bashkitë e Qarkut të Gjirokastrës, ku zona më e prekur ka qenë Bashkia Dropull.

Prefekti i Gjirokastrës, Flamur Bime tha gjatë një takimi të Shtabit të Emergjencave se këtë vit situata e zjarreve në Qarkun e Gjirokastrës ka qenë më shqetësuese dhe rreziku mbetet i lartë dhe për periudhën në vijim. Bime tha se zjarri është krim i rëndë dhe se zjarrvënësit e qëllimshëm duhen ndëshkuar.

Sipas të dhënave të Policisë së Gjirokastrës, këtë vit janë shoqëruar 30 persona të hetuar për zjarrvënie, dy janë ndaluar dhe 5 ndiqen në gjendje të lirë. Sipas policisë, mes personave të hetuar për zjarrvënie tre kanë qenë gra. Gjatë takimit të Shtabit të Emergjencave në Gjirokastër, kryetari i Qarkut të Gjirokastrës, Armand Hila tha se repartet e emergjencave duhen mbështetur në terren.

Zjarrfikësit, tha ai, gjatë operacioneve nuk janë ndihmuar as me ujë të pijshëm. Ndërsa shefi i Reparit të Zjarrfikësve, Kujtim Bizhga tha se edhe këtë vit barinjtë janë shkaktari kryesor i zjarreve. Sipas Bizhgës, këtë vit temperaturat e larta kanë favorizuar zjarret. Repartet e ndërhyrjes nuk kanë mundur të përballojnë dinamikën e zjarreve në disa vatra njëherësh, bën të ditur shefi zjarrfikës, ndërsa shton se kjo ka ndodhur për shkak të burimeve njerëzore të kufizuara dhe mjeteve të pakta.

Sipas zyrtarëve lokalë, repartet zjarrfikëse kanë nevojë edhe për përmirësimin e mjeteve zjarrfikëse pasi janë shumë të vjetra. /TopChannel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme