Zhduket pa lënë gjurmë ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj

20:54 | 28 Tetor 2022
E.H

Menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Shkodër për arrestimin e ish-kryetarit të bashkisë Lezhë Fran Frrokaj, ky i fundit ka dalë nga gjykata i pashqetësuar dhe është larguar në drejtim të paditur.

Pavarësisht se gjykata mori vendimin për dënimin e Fran Frrokajt me 3 vite burg, ky i fundit nuk u prangos, por u lejua në rrethana të paqarta të largohej nga salla e gjyqit.

Burime pranë policisë së Lezhës bëjnë me dije se nuk ka pasur komunikim mes policisë dhe gjykatës, nga e cila ka përfituar Frrokaj dhe është larguar në drejtim të paditur.

Forcat e policisë kanë kryer kontroll edhe në banesën e tij, por nuk kanë arritur ta gjejnë në banesë dhe tashmë Frrokaj është zyrtarisht në kërkim nga policia./euronews.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme