Google ADS

Zhduken dy vajza shqiptare, policia greke në alarm

20:10 | 15 Mars 2018
Arbresh.info

Policia greke është vënë në alarm pas zhdukjes së dy motrave me origjinë shqiptare nga banesa e tyre në Dylesi të Thives, 60 km në veri të Athinës.

Sipas autoriteteve greke, dy vajzat e mitura, Denisa 17 vjeçe dhe Emanuela 16 vjeçe, janë larguar nga familja e tyre dhe s’kanë dhënë asnjë shenjë jete që prej datës 12 mars.

Dy ditë më vonë familjaret kanë denoncuar zhdukjen e dy vajzave të mitura, ndërkohë që askush në qytezën e vogël të Dylesit nuk ka informacion se ku mund të ndodhen ato.

Çdo kërkim në të njohur, miq dhe familjarë të tyre, ka rezultuar pa sukses, ndërkohë që ekspertët e krimit elektronik po verifikojnë kontaktet e tyre në rrjetet sociale.

Pikërisht në rrjetet sociale janë vendosur edhe shpresat e autoriteteve për gjetjen e të miturave, ndërkohë që familjarët bëjnë apel kujtdo di diçka për vend-ndodhjen e tyre, të komunikojë sa më shpejtë me autoritetet policore, ne numrin SOS 116000, ose me fondacionin “Buzëqeshja e Fëmijës”, ku edhe garantohet anonimati i informacionit.

Autoritetet helene kanë dërguar foto të vogëlusheve edhe në pikat kufitare dalëse të vendit, ndërsa në kufirin me Shqipërinë, do të ketë kujdes edhe më të madh prej patrullave policore.

Informacion do t’i dërgohet edhe palës shqiptare, për gjetjen dhe kthimin pranë familjes të dy vajzave të mitura./Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme