Në Shqipëri, ka marrë fund përplasja e gjatë mes palëve në Partinë Demokratike se kush e përfaqësonte atë zyrtarisht.
Gjykata e Apelit vendosi sot të mos pranojë ankimimin e bërë nga pjesa e drejtuar nga zoti Lulzim Basha, duke lënë kështu automatikisht në fuqi, vendimin e shkallës së parë i cili njohu Kuvendin e thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, në dhjetor të vitit 2021, si dhe vendimet që pasuan me ngritjen e strukturave të reja partiake dhe një proces votimi që zgjodhi në krye si drejtues, zotin Berisha.
Trupa gjykuese nuk dha shpjegime mbi vendimin e marrë, i cili pritet të zbardhet me vonë, por duket se anëtarët e saj nuk kanë patur shumë dilema. Pasi u tërhoqën, ata e njoftuan verdiktin në më pak se një orë.
Gjatë seancës gjyqësore, përfaqësuesi ligjor i Rithemelimit, Ivi Kaso, kërkoi pikërisht që të mos pranohej ankimimi i bërë nga Enkelejd Alibeaj, duke arsyetuar se procesi në shkallën e parë kishte qenë pa palë, e për këtë arsye nuk legjitimohej në kërkesën drejtuar Apelit.
Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpe, reagoi përmes një postimi në Facebook. “Këtij vendimi historia do ti njohë meritën e madhe të parandalimit të një mënxyre të vërtetë për vendin, kapjen e pluralizmit politik nga partia shtet”, shkruajti ai.
Me vendimin e sotëm të Gjykatës së Apelit, pozitat e zotit Basha dobësohen edhe më tej, pas rezultatit zhgënjyes që grupi i tij, i cili mbante siglën e PD-së, mori në zgjedhjet për pushtetin vendor më 14 maj të vitit të kaluar, e më tej kur në shtator humbi mbështetjen dhe të grupit parlamentar. Nën drejtimin e Gazmend Bardhit, pjesa dërrmuese e deputetëve u bashkua me mbështetësit e zotit Berisha në parlament.
Ish kryeministri Berisha, nuk humbi kohë për t’iu drejtuar me një thirrje të gjithë demokratëve që të bashkohen.
“Sot është ditë e mirë edhe për çdo demokrat e demokrate që nuk është me Sali Berishën, por që është me Partinë Demokratike, me Flamurin e saj, pasi ky moment u heq atyre hendekun e ndarjes me shumicën e vëllezërve dhe motrave të tyre! Sot dera për ta është e hapur dhe respekti për kontributet dhe mendimin ndryshe është i garantuar”, shkruajti Berisha.
Basha nuk ka reaguar, por ka njoftuar për një mbledhje të strukturave gjatë pasdites.
Në mars të vitit 2022, Gjykata e shkallës së parë i dha të drejtë Rithemelimit dhe lëvizjes së ndërmarrë nga Berisha, si një reagim ndaj përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i Partisë me vendim të kryetarit të atëhershëm Basha për shkak të shpalljes “non grata” të ish kryeministrit, nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Vendimi u ankimua në Gjykatën e Apelit, së cilës iu desh një vit për të vendosur që çështja të rikthehej në Shkallën e parë. Por Berisha e dërgoi çështjen në Gjykatën e Lartë. Në dhjetor të vitit të kaluar, kjo Gjykatë e riktheu rastin sërish në Apel, duke urdhëruar që të kishte një tjetër trupë gjykuese./voa
Drita për t’u rikthyer te fitoret, Feronikeli ’74 për befasi...
Sara vazhdon të mendojë se pëlqimi i Fitimit ndaj saj nuk ës...
Rama shpërndan titujt e pronësisë për shtëpitë e trashëguara...
Murati tregon se kur pritet t’i ekzekutojnë nga 100 euro për...
“Nuk dua që me dal prej një darke i lumtur, e nesër përsëri ...
Qeveria ndan nga 100 euro për pensionistë e fëmijë