Zgjerimi i rrugës Tiranë-Durrës, autostrada do të kushtojë 16 milion euro

17:07 | 4 Prill 2024
E.K

Zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës do të kushtojë 16 mln euro. Autoriteti Rrugor ka hapur tenderin për të gjetur kompaninë, e cila do të ketë afat 2 vite për të mbyllur investimin.

Punimet për zgjerimin e autostradës Tiranë – Durrës parashikohet të zgjatin 2 vite, ndërsa vlera e llogaritur për ndërhyrjen arrin në 16.2 mln euro.

Tenderi i hapur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkon që deri në datën 8 maj, kompanitë të cojnë ofertat dhe më pas të firmoset kontrata për t’i hapur rrugë punimeve.

Dokumenti përshkruan se për fazën e parë të projektit periudha e punimeve përfshin gërryerjen, prishjen e betonin ekzistues, si dhe ndërtimin e veprave të artit ku përfshihen tombinot apo drenazhimet, ndërkohë që asfaltimi do të nisë në muajin e 11-të të punimeve. Paralelisht, është specifikuar se pas zgjerimit të autostradës, shpejtësia e lejuar për qarkullimin e automjeteve do të jetë 90-140 km/h.

Nisja e punimeve për zgjerimin e këtij segmenti rrugor është paralajmëruar më herët nga autoritetet shqiptare, që gjithashtu kanë bërë me dije se autostrada do të shtohet me nga 2 korsi në secilin kah lëvizjeje, duke bërë që në total të arrihet në 8 korsi.

Punimet për zgjerimin fillimisht do të përfshijnë 5 km e parë të autostradës. Paralelisht është hapur dhe tenderi për rikonstruksionin e rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa, që gjithashtu të çon në Durrës.

Fondi për ndërtimin e lotit të parë të kësaj rruge është rreth 755 mln lekë./euronews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme