Zgjedhjet në PD-të e rretheve, në Berat konfirmohet Gazmend Azizi

15:57 | 2 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Partia Demokratike përmbylli këtë të diel zgjedhjet për drejtuesit e rinj në rrethe sipas udhëzimit të kryetarit të saj Lulzim Basha. Në selinë blu po zhvillohet gara për drejtuesin e ri të Njësisë 2, ku Edison Çela, i cili kërkon të votëbesohet, ka përballë një kandidate femër, Mirlinda Çollakun, por zgjedhjet për krerët e degëve nuk kanë prodhuar supriza, pasi në shumë prej tyre janë rikonfirmuar kryetarët aktualë.

Në Durrës është konfirmuar Ferdinand Xhaferri, i cili ishte i komanduar në këtë post, Xhelal Mziu mori sërish besimin e demokratëve në Kamëz. Në Korçë është rikonfirmuar Andrea Mano, ndërsa në njësinë 5 të Tiranës, Ndriçim Babasi rimori sërish drejtimin. Në shumë degë gara ka rezultuar e fortë, ku në Shkodër kryetari Ramiz Çobaj, i cili e mbante mandatin prej vitit 2014, humbi me dy vota diferencë përballë Xhevdet Amulit. Këtu zgjedhjet u zhvilluan me debate dhe thirrje antikomuniste në drejtim të humbësit, ndërsa edhe në Berat, u konfirmua në detyrë kreu aktual, Gazmend Azizi.

Në Vlorë ish kandidati për kryetar bashkie, Genc Deromemaj mundi kreun aktual, ndërsa ish-kreu i komunës së Lazaratit, Dasho Aliko mori drejtimin e Gjirokastrës dhe deputeti Luan Baçi fitoi në Fier.

Kritikët e lidershipit nuk shpallën interes për t’u bërë pjesë e procesit, ndërsa nuk i kursyen vërejtjet për zgjedhjet për drejtuesit e rinj të partisë në rrethe. Për ta, fitorja dhe rikandidimi i kryetarëve në zonat ku PD ka humbur thellë në zgjedhjet e shkuara, jo vetëm është zhvilluar në shkelje të statutit, por legjitimon të drejtën e Lulzim Bashës për të vijuar drejtimin e partisë, pavarësisht rezultatit që do të marrë në zgjedhjet e ardhshme.

Mbyllja e këtij procesi i hap rrugë një të riu, atij për zgjedhjen e kupolës drejtuese të Partisë ku gara do të jetë më e fortë. Nga kuvendi zgjedhor i 15 dhjetorit do të dalin emrat e rinj të ekipit me të cilin Lulzim Basha synon të vijë në pushtet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme