Google ADS

Zgjedhjet në Kukës, mbi 44 për qind e kuksianëve kanë votuar

19:05 | 24 Shtator 2023
Orgesa Haziri

Votimi vazhdon në bashkinë e Kukësit, në një proces që në përgjithësi është raportuar i qetë.

44.06 për qind e kuksianëve kanë ushtruar të drejtën e votës deri në orën 18:00, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dy orë para përfundimit të orarit zyrtar të votimit.

Krahasuar me zgjedhjet vendore të 14 majit, këtë të diel më pak kuksianë i janë drejtuar Qendrave të Votimit. 51.62 për qind e qytetarëve ushtruan këtë të drejtë në 14 maj, një diferencë prej 7.56 për qind.

Në garë për të marrë drejtimin e bashkisë të Kukësit janë kandidati i Partisë Socialiste, Albert Halilaj dhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Emri Vata. Edhe në këto zgjedhje, Partia Demokratike zgjodhi që të mos dalë me kandidat.

Zgjedhjet e pjesshme  në Kukës zhvillohen pas video-skandalit seksual që përfshiu ish-kryebashkiakun Safet Gjici, vetëm disa javë pasi fitoi zgjedhjet e 14 majit./tch/

Të ngjashme