Zëri Amerikës: Edi Rama, shkop dhe karrotë për opozitën

23:12 | 23 Mars 2019
Trina Galanxhi

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama ftoi sot opozitën të ulen së bashku për të bërë ndryshimet në kodin zgjedhor, si për të eksperimentuar votimin dhe numërimin elektronik ashtu dhe për të ashpërsuar masat në kodin penal për shitblerjen e votës. Duke folur në një takim në Sheshin Nënë Tereza, ku socialistët rikonfirmuan Erion Veliajn si kandidat për mandatin e dytë në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, kryeministri foli me tone të ashpra ndaj vendimit të opozitës për të braktisur parlamentin duke theksuar se shumica nuk ka ndërmend të japë pushtet në tavolinë

Socialistët kishin thirrur sot kongresin e tyre elektoral në prag të zgjedhjeve të ardhshme vendore, ku ata rikonfirmuan paraprakisht 7 kandidatë të tyre. Por më shumë se ajo çka u zhvillua në sallë, vëmendjen e tërhoqi takimi që ndërkohë ishte organizuar në Sheshin Nënë Tereza, aty pranë “për të kërkuar një mandate të ri për Erion Veliajnë dhe Partinë socialiste në Tiranë”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Takimi, si shumë të tjerë të organizuar së fundmi nga kreu i Qeverisë, dukej të ishte dhe një provë force e numrash, përballë opozitës e cila ka lënë parlamentin dhe i është drejtuar protestave për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe zgjedhje të parakohshme.

Një akt që për zotin Rama është “tradhëti ndaj zgjedhësve dhe sistemit demokratik”, por që siç u shpreh ai mbetet zgjedhje e vetë opozitës, ndërsa refuzoi kategorikisht çdo mundësi për marrje e dhënie pushteti në tavolinë, sië u shpreh ai: “Mendojnë se duke e kthyer Shqipërinë në rrumpallën e paligjshmërisë, sherrit, konfuzionit, do të detyrojnë ndërkombëarët që të ndërhyjnë që t’u hapin këtre të dëshpëruarve rrugën e pushtetit në tavolinë. Ta harrojnë. Vetë e zgjodhët t’i jepeni rrugës, në rrugë do rrini. Ne s’kemi as mandate t’u japim ju pushtet në tavolinë, dhe as pushtet për të lënë rrugëve për hesapin tuaj”

Zoti Rama pati megjithatë një propozim për opozitën, duke e ftuar që të bëjnë ndryshimet në kodin zgjedhor, për të eksperimentuar që tani votimin dhe numërimin elktronik, si dhe për të përfshrë në kodin penal cdo masë ndëshkimi për shitblerjen e votës, “dhe nëse ju në zgjedhjet e 30 Qershorit, fitoni një bashki të vetme më shumë se ne, ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje parlamentare të parakohshme që në vjeshtë”

Por opozita, ndonëse nuk ka deklaruar se s’do të marrë pjesë në zgjedhje, këmbëngul se më Ramën kryeministër nuk mund të ketë proces zgjedhor. Kreu i Qeverisë u shfaq shpërfillës ndaj një skenari të tillë: “Punë e madhe fort. Mos u fusni. Askush nuk futet në këtë sistem me zor në zgjedhje. Kush do, futet, kush nuk do s’futet, por ama askujt nuk i ndalohet dot të zgjedhë dhe të zgjidhet, kur vjen dita e zgjedhjeve. Ka ardhur koha që kjo vallja me maska e Lulit, të mbarojë një herë e mirë”.

Sipas kryeministrit opozita i druhet humbjes në zgjedhje: “Lulzim Basha i ka tmerr zgjedhjet se nuk i fiton dot. Nuk fiton as në Partinë e tij nëse nuk i vjedh. Ndërsa LSI-ja sot nuk përfaqëson më askënd, por po ta besojnë Monikën, nuk përfaqëson më as Ilir Metën”

Dhe për presidentin Meta e deklaratat e tij të fundit, për rrezikun e një junte ushtarake dhe se, , ishte gati të sakrifikonte jetën, duke bërë krahasimin me ish presidentin kilian Salvador Allende, zoti Rama tha jo pa ironi e me tone gati tallëse: “Rri i qetë dhe mos i ço më në mendje ato çudira, se na hutove”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme