Zbulohet qendra e prostitucionit në Korçë

22:00 | 22 Shkurt 2017
Trina Galanxhi

Shqipëria e ka të ndaluar ushtrimin e prostitucionit. Megjithëse shtytja, ndërmjetësimi ose marrja shpërblim për ushtrimin e këtij “zanati” dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet, shumë hotele dhe motele e ofrojnë këtë shërbim.

“Fiks Fare” dokumentoi me zë dhe figurë një tjetër rast prostitucioni, kësaj here në qytezën e Maliqit, në Korçë. Hoteli ndodhet në afërsi të rrugës nacionale, në vendin e quajtur kryqëzimi i Maliqit.

Pronari i këtij hoteli tregoi për “Fiksin” se kishte disa vajza që i shfrytëzon si prostituta, më e vogla prej të cilave 25-vjeçe. Gazetarët e “Fiksit” biseduan me punëtorin, të cilit i treguan se ishin “kontaktuar” nga një shtetas italian që kërkonte një çupë të mirë.

Ata i thanë se “klienti” ishte rreth 40 vjeç dhe kërkonte çupa të vogla. Pronari tha se më e vogla që kishte ishte 25-vjeçe dhe se pazarin duhet ta bëjnë vetë “italiani” dhe prostituta. Pronari i tha gazetarit se vajzat rrinin deri në orën 15:30-16:00.

Më tej, ai foli edhe për prostitutën 25-vjeçare. “Është 25 vjeçe, është shumë e mirë. Madje, ajo nuk rri këtu, rri lartë se nuk i ka qejf”, tha pronari. Në fund, gazetari i kërkoi atij që të shihte prostitutën. Pasi ia tregoi e pyeti nëse i pëlqente dhe nuk kërkoi lekë.

Biseda e gazetarit me punonjësin e lokalit dhe prostitutën

Fiksi: Turp është.
Punonjësi i lokalit: S’është turp, është për qejf. Çfarë doni?
Fiksi: Një italian më tha t’i gjej një çupë të mirë.
Punonjësi i lokalit: Çfarë moshe ka ai? Kam lartë njërën.
Fiksi: Ai është nja 40 e ca vjeç dhe i do të vogla në fakt.
Punonjësi i lokalit: 25 vjeçe.
Fiksi: 25 vjeçe.
Punonjësi i lokalit: Kam një lartë, do ta sjell?
Fiksi: Po më të vogla ka?
Punonjësi i lokalit: S’ka.
Fiksi: Pazari nuk është problem fare.
Punonjësi i lokalit: Le ta bëjnë vetë.
Fiksi: Nuk e kam problem për pazarin unë. Ai do të kënaqet?
Punonjësi i lokalit: Po.
Fiksi: Mirë, po nuk ka ndonjë kështu…
Punonjësi i lokalit: Këto deri në orën tre e gjysmë, katër rrijnë këtu.
Fiksi: E marr vesh, po ndonjë të vogël s’ka? Ai do ndonjë prej shkolle.
Punonjësi i lokalit: Jo s’ka. Është më logjike ajo që them unë, është më logjike.
Fiksi: Mua më vjen turp, po ça t’u bëj atyre. Ata kanë qejf se lekun e kanë.
Punonjësi i lokalit: Kanë qejf, bravo. Pa merak, është 25-vjeçare, është shumë e mirë.
Fiksi: Them ta shikoj njëherë, si mund ta shikoj?
Punonjësi i lokalit: Ta nxjerr unë.
Fiksi: Në rregull, mirë.
Punonjësi i lokalit: Hajde.
Fiksi: Si jeni?
Prosituta: Ç’bëni, mirë?
Punonjësi i lokalit: Të pëlqen?
Fiksi: Nuk kam ç’të them, është e mirë fare. Nuk diskutohet, shumë e mirë.
Prostituta: Mirupafshim.
Punonjësi i lokalit: I thash unë, nuk dua lekë, ok?
Fiksi: Mirë, nuk diskutohet.

Para pak javësh, “Fiks Fare” transmetoi mënyrën e rekrutimit të masazhatoreve, të cilat në fakt ishin punonjëse seksi. Gazetarët telefonuan disa pronarë lokalesh dhe qendra masazhesh duke kërkuar punë.

Gjatë takimeve, pronarët dhe administratorët i thanë gazetares se gjatë punës, klientët mund të kërkonin edhe masazhe erotike. Ata kishin kodet përkatëse, ku “body-body” ishte masazh trup më trup, ndërsa “happy end” ishte seksi oral.

Ndërkohë, në fund të sezonit të vitit të kaluar, “Fiksi” transmetoi investigimin se si vajzat shqiptare pranojnë të punojnë në “kompani” fantazmë duke performuar seks online, me klientë nga e gjithë bota.

Një gazetare u fut në këtë rrjet dhe zbuloi të paktën 5 apartamente në Tiranë, ku vajza të reja performonin seks përpara kamerës së një kompjuteri. Në kamerat e fshehta, vajzat thanë se paguheshin mirë dhe se fitimi i tyre rritej sa më gjatë ta mbanin klientin në linjë. Ato fitonin deri në 20 mijë lekë të reja në një natë.

Ndërkohë, disa vajza të tjera thanë se bien pre e kërcënimeve pasi regjistrohen dhe më pas shantazhohen në mënyrë që të mos largohen nga puna. Disa vajza ishin detyruar të bënin gjëra perverse dhe të dhimbshme. Njëra prej tyre tha se, kishte tentuar të vriste veten për shkak të këtyre kërcënimeve.

Po në prill 2016, gazetarët e “Fiksit” bënë një bisedë me 5 prostituta që qëndronin përgjatë rrugës nacionale Rrogozhinë – Fier. Ato treguan se pazarin e kishin 1 mijë lekë të reja dhe se vendi ku ushtronin profesionin është poshtë urës. Prostitutat thanë se bënin rreth 10 mijë lekë të reja në ditë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme