Zbulohet njëri nga shkaqet e rënies së euros në Shqipëri

18:22 | 24 Maj 2018
Arbresh.info

Euro ka vijuar rënien dhe gjatë ditës së sotme, duke vijuar të vendosë rekorde të reja të 10 viteve të fundit.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 126.64 lekë, me një rënie prej 0.1 lekë në krahasim me ditën e mëparshme dhe duke shënuar 6 ditë radhazi me nënçmim dhe nivelin më të ulët nga fillimi i shkurtit të vitit 2009. Si rrjedhojë monedha e përbashkët i ka humbur piket që fitoi nga mesi i majit.

Ekspertët pohojnë se krahas faktorëve të tjerë që kanë rritur në mënyrë të qëndrueshme ofertën për valutë, si burimet informale dhe ato formale, në rënien e shpejtë të tij po ndikojnë dhe bankat, të cilat pas procesit të shit blerjeve po kryejnë konvertimin e kapitalit nga euro ne lekë, çka ka shtuar ofertën për valutë ne treg.

Ekspertët pohojnë se ecuria e kursit do të varet nga shpejtësia me të cilën bankat do të bëjnë këto konvertime, por gjithsesi shumat e mëdha ndikojnë në ecurinë e kursit.

Një fakt të tillë e ka konfirmuar dhe zëvendës guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, znj. Elisabeta Gjoni, e cila në një intervistë të fundit për Monitor ka pohuar se “Gjithashtu, nga informacionet në shtyp, publiku është njohur me vendimet e disa bankave për të konvertuar pjesë të kapitalit të tyre nga valuta në lek.

Ndonëse ky është një veprim normal, plotësisht i mbështetur në kuadrin rregullator, që ka ndodhur edhe më parë, nuk përjashtohet mundësia që lajmi të ketë ndikuar në pritjet e agjentëve ekonomikë për ecurinë e kursit të këmbimit”.

Por, ajo thekson se efekti i këtyre veprimeve, të cilat janë të rralla, është tërësisht i përkohshëm. “Për më tepër, bankat po tregojnë kujdesin e duhur që veprimet të shtrihen maksimalisht në kohë dhe të kryhen në momentet më të përshtatshme”, ka pohuar znj.Gjoni.

Deri në fund të verës, pritet të ndikojnë dhe prurjet e turizmit dhe emigrantët, që e bëjnë jo pozitive perpektivën e euros./Monitor

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme