Zbardhet ngjarja, 34-vjeçarit në Bastar iu morr jeta për lidhjen jashtëmartesore

23:56 | 26 Janar 2019
Trina Galanxhi

Mbrëmjen e djeshme ka ndërruar jetë 34-vjeçari Arben Gjeçi nga fshatin Bastar i Mesëm në Bashkinë e Tiranës. Në fillim u raportua si vdekje aksidentale, duke thënë se ai kishte rënë nga lartësia dhe më pas ndërroi jetë në spital.

Por sot Policia e Tiranës në një deklaratë për mediat tha se ngjarja është zbardhur dhe autorët janë vënë në pranga. 34-vjeçari është goditur me mjete të forta ç’ka i kanë shkaktuar vdekjen. Arben Gjeçi, dyshohet se kishte lidhje intime me bashkëshorten e autorit. Vrasja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes, por vetëm dy ditë më vonë është bërë i mundur shoqërimi i autorit të dyshuar në polici. Po kështu janë shoqëruar dhe dy persona të tjerë pasi kanë mashtruar policinë, në përpjekje për të fshehur krimin.

Njoftimi i policisë së Tiranës për ngjarjen

Pas një pune intensive dhe të pandërprerë 48 orëshe, Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka zbardhur rrethanat dhe arrestuar 3 persona, për një ngjarje të raportuar në nisje si një vdekje aksidentale.

Dyshohet se shtetasi E.C., më datë 24 janar 2019, rreth orës 20:30, në fshatin Bastar i Mesëm ka goditur me sende të forta në kokë shtetasin A.Gj., 34 vjeç, duke i shkatuar dëmtime të rënda në kokë. Për pasojë i riu humbi jetën në Spitalin e Traumës.

Ngjarja u raportua si aksidentale. Por hetimet provuan të kundërtën. Në polici u shoqëruan disa shtetas dhe u kryen disa veprime komplekse hetimore në konfidencialitet të plotë.

Në vijim të këtyre veprimeve, dyshohet se shtetasit D. K., dhe E. C., me veprimet dhe mos veprimet e tyre kanë fshehur të vërtetën e ngjarjes së ndodhur. Gjithashtu nga kontrolli i ushtruar në banesë u gjet edhe një sasi lënde e dyshuar kanabisi.

Shërbimet e Policisë Tiranë bënë arrestimin e shtetasve:

– E.C., 31 vjeç, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje me pasojë vdekjen”;
– D.K., 29 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”;

– E.C., 20 vjeçe, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme