Zbardhet kërkesa e opozitës për qeveri tranzitore: Të zbatohet deri me hyrjen në BE

22:18 | 31 Maj 2020
Arbresh Info

Zbardhen propozimet e opozitës në Këshillin Politik në lidhje me qeverinë tranzitore.

Ky propozim është dorëzuar në Këshill dhe kërkohet që një qeveri e tillë të funksionojnë deri sa vendi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Në propozimin e PD-së thuhet se qeveria kujdestare do të formohet 100 ditë përpara ditës së zgjedhjeve parlamentare dhe se fillon ushtrimin e detyrës për të garantuar standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Po ashtu opozita pohon se përmes kësaj qeveri  do të këtë asnjanësi të institucioneve në zgjedhje, barazi e trajtimit të kandidatëve në lidhje me burimet administrative.

“100 ditë përpara ditës së zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi i Shqipërisë, miraton përbërjen e Qeverisë Kujdestare të Zgjedhjeve, e cila pas betimit përpara Presidentit të Republikës, fillon ushtrimin e detyrës për të garantuar standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me funksion të posaçëm ndalimin e përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore. Ky rregull zbatohet deri në hyrjen në fuqi të marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Qeveria Kujdestare e Zgjedhjeve ka për detyrë:

të sigurojë asnjanësi dhe paanshmëri të institucioneve të administratës publike në procesin zgjedhor;

të sigurojë barazinë e trajtimit midis kandidatëve dhe partive të ndryshme në lidhje me burimet administrative;

të sigurojë barazi ndërmjet të gjithë subjekteve zgjedhore, duke mbrojtur nga keqpërdorimi i mundshëm i burimeve administrative për qëllime politike”, – pohohet ndër të tjera në dokument.

Dokumentin mund ta gjeni këtu:  463800211-Qeveria-Kujdestare-30-05-2020

 

 

 

Të ngjashme