Prokuroria e Tiranës ka futur në sitë edhe pasurinë e Ervis Martinajt, si pjesë e hetimeve për ngjarjen e ndodhur në ish-Bllok, ku i arrestuari mbeti i plagosur.
Sipas dosjes së Prokurorisë, që disponohet nga “Panorama”, organi i akuzës ngre dyshime për burimin e ligjshëm të pasurisë së Martinajt.
Në sy bien dy transaksione bankare në vlera marramendëse. E para ka të bëjë me një transfertë bankare nga një kompani private drejt llogarive të Martinajt, në shumën 78,567,713 lekë të rinj. Nga këto, Martinaj ka tërhequr një shumë prej 76,011,915 lekësh. Gjithashtu, Prokuroria ka zbuluar edhe një derdhje kesh të Martinajt në llogarinë e tij bankare në një bankë të nivelit të dytë në një shumë prej 108,701,069 lekësh të rinj. Nga këto, ai ka tërhequr më pas 98,367,465 lekë të rinj.
Për të gjitha këto transaksione, Prokuroria thotë se Martinaj ka shmangur tatimin 15 %. “Nga analiza bankare e kryer rezulton se shtetasi Ervis Martinaj ka llogari bankare në tre banka të nivelit të dytë.
Te njëra bankë ka kryer lëvizje në emër të shoqërisë “K.C. sh.a”, te e cila ka kryer depozitë kesh në vlerën 3,268,400 lekë dhe tërheqje kesh në vlerën 4,000,000 lekë. Me tej, te një bankë tjetër vërejmë kalime nga shoqëria “M.N.” në vlerë 78,567,713 lekë dhe tërheqje kesh nga shtetasi Ervis Martinaj në vlerë 76,011,915 lekë. Nuk dihet arsyeja e këtyre transferimeve. Te banka e tretë, gjithashtu vërejmë se shtetasi Ervis Martinaj ka kryer derdhje kesh në vlerë 108,701,069 lekë dhe tërheqje kesh në vlerë 98,367,465 lekë. Gjithashtu, te kjo bankë rezultojnë kreditime nga individë te ndryshëm, nga të cilat disa janë me përshkrimin “të ardhura nga loto”.
Pjesë nga dosja e Prokurisë
Në përfundim nga të dhënat bankare rezulton se ky shtetas ka transaksione bankare në vlera të konsiderueshme, të cilat nuk kanë asnjë justifikim për burimin dhe pjesa më e madhe e tyre janë kalime nga llogaria e shoqërisë, e cila është në emër të të atit. Një pjesë e këtyre të ardhurave është tërhequr në kesh nga ana e këtij shtetasi dhe nuk dihet qëllimi për të cilat janë përdorur këto tërheqje”, shkruhet në dosjen e Prokurorisë së Tiranës. Po kështu, Prokuroria thotë se nga bizneset që Martinaj ka të regjistruar që prej vitit 2012, fitimet janë në masën 2.382.900 lekë.
Në përfundim të analizës financiare, Prokuroria thotë se Martinaj dyshohet se kryen aktivitet të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Këtë aktivitet, dyshohet se ai e kryen në bashkëpunim me persona të tjerë. Prokuroria ka ushtruar kontrolle në disa pika bastesh dhe ka zbuluar fatura dhe bileta lotarie, të cilat nuk janë licencuar. Nëse Prokuroria gjen më shumë prova për pastrimin e produkteve të veprës kriminale, atëherë kjo dosje mund të kalojë te Krimet e Rënda, të cilat e kanë edhe kompetencë lëndore hetimin e këtyre veprave penale./Panorama
Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju
Media australiane: Si po kthehet Shqipëria në destinacionin ...
Sot mblidhen pesë komisione parlamentare
Gjermania premton 6 miliardë euro në vit për financimin e kl...
Arne Slot befason të gjithë me përforcimin e fundit te Liver...
Moti në Shqipëri me vranësira dhe shi