Ambasadorja amerikane në vendin tonë Yuri Kim thotë se Partia Demokratike duhet të jetë në Parlament në muajin Shtator kur nis dhe sesioni i ri parlamentar, pavarësisht kundërshtimeve që kanë për procesin zgjedhor të 25 Prillit.
Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, ambasadorja Kim u shpreh se deklaratat e Lulzim Bashës dhe të eksponentëve të tjerë demokratë nënkuptojnë se Partia Demokratike do të hyjë në Parlament.
Kim u shpreh se është e rëndësishme për vendin që një parti me peshë si PD të jetë e pranishme në sallën e Kuvendit.
Blendi Fevziu: Ambasadore, PD ka thënë edhe që nuk do t’i pranojë kurrë rezultatet e zgjedhjeve të 25 Prillit. Thonë se ishin një masakër zgjedhore. Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë, për integrimin tonë, si dhe për ju personalisht?
Ambasadorja Kim: Mendoj se për Shtetet e Bashkuara, pikëpamja jonë është shumë e qartë. Në deklaratën që nxorëm nga Uashingtoni, vërejtëm se është me rëndësi që të gjitha partitë të njohin rezultatet e zgjedhjeve, dhe për sa është e mundur, që partitë tani të mendojnë se si t’i shërbejnë popullit shqiptar, të gjithë popullit shqiptar. Pra, po presim me kënaqësi që të punojmë me të gjitha palët, të shohim se çfarë mund të bëjmë së bashku si Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria, dhe më duhet të them se më e rëndësishmja për ne është që Shqipëria ka qenë tepër gjatë pa një opozitë të plotë në parlament.
Blendi Fevziu: Dy vjet, thuajse dy vjet.
Ambasadorja Kim: …pothuajse dy vjet. Tani, disa deputetë qëndruan dhe bënë gjënë e duhur. Dhe pikëpamja jonë është se të gjithë duhet të kishin qëndruar në parlament, por kjo është e kaluara. Tani, teksa presim Shtatorin, presim me kënaqësi që Partia Demokratike, e cila është një parti e rëndësishme, e cila ka dhënë kontribute shumë të rëndësishme historike për zhvillimin e Shqipërisë. Nevojitet t’i shohim të kthehen në parlament dhe jemi shumë të kënaqur të shohim deklaratat e tyre ku bëjnë të qartë se kur të vijë Shtatori, do të kthehen në parlament.
Blendi Fevziu: A mendoni se PD do të marrë pjesë në parlament?
Ambasadorja Kim: Po.
Blendi Fevziu: Edhe nëse nuk i pranojnë rezultatet?
Ambasadorja Kim: Mendoj se gjithçka tjetër që mund të jenë duke thënë, po të shohësh deklaratat nga Lulzim Basha dhe kushdo tjetër në PD, bëjnë shumë të qartë që pavarësisht çfarëdo kundërshtimesh që kanë, do të jenë në parlament në Shtator. Dhe kjo është vërtetë e rëndësishme.
Blendi Fevziu: Por ka shumë komente që i thonë Bashës të ndahet nga ambasadorët e BE apo SHBA dhe ambasadorë të tjerë europianë, sepse siç thonë ata, ambasadorët mbështesin Ramën. Çfarë mendoni për këtë?
Ambasadorja Kim: Unë e di cila është puna ime.
Blendi Fevziu: Po kërkojnë një rrugë radikale, një rrugë të re radikale nga PD.
Ambasadorja Kim: E dini, njerëzit janë të lirë të shprehin pikëpamjet e tyre dhe mendoj që kur zhvillohen zgjedhje, ka festim, por ka edhe zhgënjim, por është shumë e rëndësishme që të ketë diskutime të hapura për çfarë ndodhi dhe se cila është rruga përpara. Unë për vete, e di cila është detyra ime. Detyra ime është të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të përfaqësoj pozicionin e vendit tim. Dhe kur vjen fjala te kjo, ne duam një marrëdhënie të ngushtë me Shqipërinë. Duam që të jetë edhe më e ngushtë. Dhe nuk ka rëndësi kush është në pushtet. Kemi punuar jashtëzakonisht mirë me cilindo ka qëlluar të jetë zgjedhur nga populli shqiptar dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.
Blendi Fevziu: Por deklarata juaj në një program televiziv është diskutuar, është interpretuar si mbështetje për një parti apo një tjetër.
Ambasadorja Kim: E di.
Blendi Fevziu: Dhe çfarë mendoni tani?
Ambasadorja Kim: Mendoj që njerëzit ndonjëherë kërkojnë për kuptime të fshehura ndërkohë që mendoj se jam mjaft e drejtpërdrejtë dhe e qartë. Kur them diçka, njerëzit e interpretojnë si mbështetje për një palë; kur them diçka tjetër, thonë, epo qenka me palën tjetër. Asnjë nga këto nuk është e vërtetë. Jam shumë e drejtpërdrejtë, Blendi, siç e dini, dhe nëse dua të them diçka në emër të Shteteve të Bashkuara, mendoj se jam mjaft e qartë. /tvklan.al
Xuxi: Nuk është marre me humb prej dikujt që është më i mirë...
FFK-ja del me njoftim për tifozët dardanë për ndeshjen Ruman...
Lansohen katër shërbime nga ministria e Arsimit në platformë...
“Tani është personale”/ Tysoni godet me shuplakë Paulin, gja...
Anëtarët e Komisionit hetimor dorëzojnë dosje për MPJD-në në...
Gjesti-Xhenetës: Ose po e përkrahim njëri-tjetrin, ose po e ...