Në Shqipëri, Delegacioni i Bashkimit Europian reagoi lidhur me debatin e hapur mbi ndryshimin e nenit për ekstradimet në Kodin e Procedurës Penale.
Duke ju përgjigjur interesimit të “Zërit të Amerikës” për këtë çështje, duke qenë se i gjithë procesi i Reformës në Drejtësi dhe paketa e ligjeve shoqëruese u asistua ngushtësisht dhe nga misioni europian Euralius, Delegacioni i BE-së sqaroi se “ka patur variante të ndryshme rreth Nenit 491 (f) të Kodit të Procedurës Penale, që janë diskutuar nga Grupi i Punës për Rishikimin e Kodit të Procedurës Penale – pjesë e të cilit ka qenë edhe Euralius – deri në miratimin e ndryshimeve të Kodit më 30 mars 2017.
Thelbi i varianteve të ndryshme mbeti i pandryshuar gjatë gjithë diskutimeve, përfshirë dhe variantin përfundimtar të miratuar të Nenit 491 (f) të Kodit”.
Kjo çështje u hap nga Partia Demokratike, si pjesë e akuzave që ajo ka ngritur ndaj ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, lidhur me të vëllanë e tij të arrestuar në Itali në vitin 2002 e më pas të dënuar në 2012-ën me 7 vjet e dy muaj burgim për pjesmarrje në një organizatë kriminale që merrej me trafikun e drogës. Sipas opozitës, në cilësinë e kryetarit të Komisionit parlamentar të ligjeve, zoti Xhafaj ka ndërhyrë duke bërë një ndryshim që sipas opozitës mbron direkt të vëllanë e tij, gjë e cila është hedhur poshtë nga socialistët. Pika që është shtuar në nenin për ekstradimet, dhe që është aktualisht në fuqi, parashikon se ekstradimi nuk mund të kryhet “kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit”. Sipas opozitës një formulim i tillë “pamundëson ekstradimin e vëllait të tij Agron Xhafaj të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë nga Gjykata Italiane e Kasacionit, si dhe pamundëson njohjen e vendimit nga drejtësia shqiptare në mënyrë që vëllai i tij Agron Xhafaj të mos bëj asnjë ditë burg as në Shqipëri nga dënimi i tij nga drejtësia italiane për trafik droge”.
Në shpjegimin dhënë “Zërit të Amerikës”, Delegacioni i BE-së shprehet se “Neni 491 (f) i miratuar i Kodit, garanton se personi i cili është gjykuar dhe dënuar në mungesë ka mundësinë që të ketë një rishqyrtim të çështjes në prani të tij/saj përpara Gjykatës. Kjo masë është në përputhje me Standartet europiane të përcaktuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, Konventa Europiane për Ekstradimin dhe Vendimi kuadër i BE-së për Urdhër-arrestin europian. Kodi garanton se Shqipëria mund të ekzekutojë një vendim penal të huaj edhe nëse ekstradimi nuk është i mundur për arsyet e përcaktuara në Nenin 491 (f) të Kodit.” Delegacioni i BE-së shton se “Shqipëria ka ratifikuar gjithashtu Konventën Europiane mbi Transferimin e Procedimit të Çështjeve Penale, një tjetër alternativë për ekstradimin, për rastet kur zbatohet Neni 491 (f) i Kodit”, përfundon shpjegimi i Delegacionit të BE-së dhënë “Zërit të Amerikës”.
Demokratët e kanë bërë një sërë akuzash ndaj ministrit Xhafaj, lidhur më të vëllanë, që nga fakti që pavarësisht dënimit në Itali ai nuk ka vuajtur asnjë ditë nga ky dënim, te mbrojtja që sipas opozitës ministri i ka bërë atij në shkelje të ligjit, apo mos zbatimi nga ana e policisë së Ligjit Antimafia. Dy ditë më parë, demokratët publikuan rregjistrimin audio të një bisede që sipas tyre është zhvilluar mes vëllait të ministrit dhe një ish të dënuari për trafik droge, e që sipas Partisë demokratike tregon se ai vazhdon të jetë i përfshirë në aktivitete të paligjshme. Por mbrëmjen e së martës, vëllai i ministrit bëri kallzim penal ndaj përfaqësuesve demokratë, pasi sipas tij bëhet fjalë për një “material të rremë, të konsumuar nëpërmjet sajesës dhe manipulimit të provave”. Nga ana e saj, Prokuroria kërkoi dje nga Partia demokratike që të marrë regjistrimin audio të publikuar prej saj.
Kryetari demokrat Lulzim Basha, kërkoi të mërkurën, “në emër opozitës, largimin e menjëhershëm të Fatmir Xhafajt nga detyra e Ministrit të Brendshëm”. Ajo ka paralajmëruar zhvillimin sot të një proteste përpara ministrisë së Brendshme, ndërsa të enjten në parlament, ka vendosur të mos lejojë diksutimin e asnjë çështjeje tjetër.
Po sot gjatë ditës pritet që për këtë çështje, të shprehet, siç e ka njoftuar vetë përmes një postimi në Facebook, edhe kryeministri Edi Rama, në një fjalë që do të mbajë përpara grupt parlamentar të partisë socialiste.
Sulmet në Zveçan e Ibër Lepenc, policia me aksion për identi...
Gërvalla: Pas një angazhimi të jashtëzakonshëm të institucio...
Hoxhaj: Shpërthimi në Ibër Lepenc, akt i papranueshëm që cen...
Mediat ndërkombëtare raportojnë pas shpërthimit në Ibër Lepe...
Pas shpërthimit të mbrëmshëm, forca të mëdha të KFOR-it dhe ...
Gjendja në kanalin e Ibër Lepencit, pas shpërthimit të mbrëm...