Kur mendohej se debati për reformën në drejtësi u sfumua pas javës së rrëmujshme me akuza të forta mes ambasadorit amerikan dhe Prokurorit të Përgjithshëm, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, rihapi të njëjtin debat.
Pozicionimi i tij është krejt i qartë në mbështetje të akuzave të ambasadorit Lu për shkeljen e Kushtetutës nga kryeprokurori Llalla në procesin e zgjedhjes me short të anëtarëve të Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtesi.
Top Channel disponon letrën nëpërmjet së cilës Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj ka informuar Presidentin, kryeparlamentarin dhe kryetarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe kryeprokurorin për paligjshmërinë e Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi.
“Më rezulton se procesi i përzgjedhjes së listave të kandidatëve nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë është tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin përkatës, për rrjedhojë, edhe vetë, rezultati i nxjerrë nga procesi i shortit”, thotë deputeti socialist.
Fatmir Xhafaj citon një pikë të Kushtetutës, që sipas tij, është shkelur gjatë hartimit të listave të kandidatëve nga Prokuroria dhe KLD-ja. Ata iu referuan si kriter edhe kryerjes së Shkollës së Magjistraturës, por që sipas Xhafajt nuk i përket kësaj faze të përkohshme, që duhet të kishte vetëm një kriter përjashtues nga gara.
“Kjo dispozitë kushtetuese pengon marrjen pjesë në short të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve është dhënë masë disiplinore. Ky është i vetmi kriter ndalues”, thotë ai.
Ky është një qëndrim i kundërt me atë të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, i cili e mbrojti publikisht si korrekte dhe të ligjshme procedurën e ndjekur nga Prokurori i Përgjithshëm, kur ai u akuzua nga Ambasadori Amerikan për shkelje të Kushtetutës në përzgjedhjen e kandidatëve për Këshillin e Emërimeve.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve këmbëngul në zbatimin e dy standardeve për shortin e Këshillit të Emërimeve, të cilat siç paralajmëron Xhafaj, nuk kanë vetëm pasoja juridike, por edhe politike.
“Vlerësoj se injorimi i këtij fakti cenon besueshmërinë e qytetarëve në procesin e ndërtimit të institucioneve të reja të drejtësisë, si dhe komprometon sinqeritetin e faktorëve politikë dhe institucionale në deklarimet e tyre për të mbështetur reformën në drejtësi”, sqaron Xhafaj.
Letra e kryetarit të Komisionit të Ligjeve u është dërguar të hënën drejtuesve të institucioneve kushtetuese, në të njëjtën ditë që atyre dhe ambasadorëve Lu dhe Vllahutin u ka shkuar një letër nga ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili, që kundërshtoi si antikushtetues ngritjen e bordit menaxhues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Kjo betejë me letra është një provë tjetër se zbatimi i reformës në drejtësi do të jetë i vështirë dhe mesa duket, po kaq e vështirë do të jetë marrëdhënia me partnerët ndërkombëtare dhe akoma më e ndërlikuar ajo mes aleatëve në Qeveri…pavarësisht buzëqeshjeve dhe premtimeve për bashkëpunim./tch/Arbresh.info
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...