Policia ka arrestuar në Greqi autorin e dyshuar të vrasjes së ndodhur në Dhërmi, Gerald Shehu ku viktimë dyshohet se ka mbetur Eraldo Nevruzi, ndërsa policia po kryen kontrolle për gjetjen e trupit të tij.
Shehu është vendosur në pranga në një prej aeroporteve në shtetin grek teksa ishte duke u larguar pasi dyshohet se kreu krimin e rëndë. Ndërkaq, Policia e Shtetit bëri të ditur më herët se ishte në komunikim me autoritetet greke për kapjen e 43-vjeçarit. Gjithashtu bëhet e ditur se ai kishte hyrë në territorin e Greqisë nga pika e kalimit kufitar e Qafë Botës ndërsa më pas është arrestuar nga policia në një prej aeroporteve greke.
Referuar njoftimit të policisë, Shehu mësohet se është dhëndri i pronares së hotelit në Dhërmi, ku Eraldo Nevruzi shërbente si recepsionist për të punuar gjatë sezonit veror.
Deri më tani, policia nuk ka bërë të ditur nëse ka gjetur trupin e Nevruzit, por dyshon se 31-vjeçari është qëlluar me armë zjarri.
Në njoftimin e saj paraprak, Policia shpjegoi se në Dhërmi, Himarë, shtetasi E. N., 31 vjeç, banues në Tiranë, punonjës në recepsionin e një hoteli në Dhërmi, Himarë, kishte humbur kontaktet me pronarët e hotelit.
“Me marrjen e njoftimit, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe Komisariati i Policisë Himarë kanë ngritur një grup hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në hotel dhe kanë kryer një sërë veprimesh hetimore. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. N. është qëlluar me armë zjarri, rreth orës 00:30, nga shtetasi G. Sh., 43 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Angli.
Nga veprimet e tjera hetimore rezulton se pas ngjarjes shtetasi G. Sh. është larguar drejt Greqisë.
Janë administruar në cilësinë e provës materiale, prova ligjore, si dhe janë shoqëruar deri në këto momente, për t’u pyetur në lidhje me këtë ngjarje, 29 shtetas.
Nga tërësia e veprimeve të deritanishme dyshohet se kemi të bëjmë me një ngjarje të rëndë kriminale.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën intensivisht për gjetjen e shtetasit E. N., si dhe për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit”, njoftonte Policia.
Më pas, Policia theksoi se në vijim të veprimeve intensive që po kryen grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, për gjetjen e shtetasit E. N., si dhe për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit, sqarojmë se nga kontrollet e deritanishme nuk është bërë ende e mundur gjetja e shtetasit E. N.
“Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar, shtetasin G. Sh. (bashkëpronar i hotelit ku punonte shtetasi E. N.) dhe po bashkëpunon me Policinë greke për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij, pasi nga hetimet e deritanishme, pamjet filmike të sekuestruara dhe dëshmitë e marra, dyshohet se shtetasi G. Sh. ka qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit E. N.
Policia e Shtetit vë në dispozicion foton e autorit të dyshuar, e cila i është vënë në dispozicion edhe Policisë greke dhe partnerëve të vendeve të rajonit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përgëzuar policinë për zbardhjen e ngjarjes dhe vendosjen në pranga të autorit ndërsa e ka cilësuar si sprovë të rëndësishme për efektivët e policisë.
“Zbardhja në një kohë sa më të shpejtë e ngjarjeve kriminale, gjetja dhe ndalimi personave të dyshuar si autorë apo të përfshirë në këto ngjarje, janë një sprovë e rëndësishme e performancës së policisë. Përgëzime Policisë së Shtetit për hetimet e deritanishme lidhur me një ngjarje kriminale në Dhërmi, ndalimin e një personi të dyshuar në një aeroport të një vendi fqinj. Do të punojmë me autoritetet dhe agjencitë ligjzbatuese të këtij vendi për përballjen sa më parë me drejtësinë të personit të dyshuar”, shkruan Balla në Facebook./rtsh.al/
Ambasada e SHBA-së në Kosovë uron Krishtlindjet
Parandalohet një rast i kontrabandës me mallra në vlerë mbi ...
Kushtetuesja e Speciales hudh poshtë referimin e Thaçit lidh...
LDK: Vazhdojnë përgatitjet drejt fitores së madhe!
Gjesti krijon momente magjike në oborrin e BBVK3, në orën 4 ...
Bombardimet pakistaneze në Afganistan vrasin 46 persona