Policia ka identifikuar autorët e vrasjes së Shkëlzen Kastratit, i cili u ekzekutua më 1 shkurt 2021 pranë vendit të quajtur “Ura e Sheqit” në Fier. Ata janë shpallur në kërkim kombëtar, ndërsa po punohet për shpalljen në kërkim ndërkombëtar.
Dy prej autorëve janë banues në Fushë Krujë, njëri në Kamzë ndërsa një tjetër në Tiranë. Për secilin prej tyre, Gjykata e Fierit ka vendosur në mungesë masën “Arrest me burg”, për veprën penale “Vrasje me paramendim”.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe dy automjetet që janë përdorur nga autorët për të kryer vrasjen dhe për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Po punohet për lokalizimin e tyre pasi dyshohet se mund të jenë larguar drejt një vendi të BE-së.
Kastrati u ekzekutua në rrethrrotullimin në hyrje të Fierit, teksa po vinte nga ky drejtim me automjetin e tij Mercedez Benz, ndërsa autorët po e ndiqnin me një automjet tip Range Rover, nga edhe ku e qëlluan. Viktima humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me një tjetër automjet në këtë rrugë, në të cilën ndodheshin babë e bijë, duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Viktima humbi jetën menjëherë pas atentatit.
Autorët u larguan nga vendi i ngjarjes dhe disa minuta më pas, në mbikalimin e fshatit Baltëz, në By-passin e Fierit, policia gjeti të djegur mjetin tip Range Rover. Grupi hetimor, brenda këtij mjeti, gjeti edhe armën tip automatik, me të cilën dyshohet se u krye ekzekutimi.
Ekzekutimi i Shkëlzen Kastratit, dyshohet, së është vazhdimi i vrasjes së ndodhur në vitin 2016 në Fier, ku shënjestër ishte Klement Kastrati, vëllai i viktimës. Shënjestra bashkë me një tjetër person mbetën të plagosur, ndërsa u vra një shtetas nga Patosi.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet dhe dokumentohet me prova vrasja e shtetasit Sh. K., ndodhur më datë 01 shkurt 2021, në Fier. Identifikohen dhe shpallen në kërkim 4 autorët e dyshuar të ngjarjes kriminale.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale dy automjetet që kanë përdorur autorët për t’u larguar nga vendngjarja.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga strukturat hetimore të DVP Fier, në koordinimin nga Departamenti i Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, si rezultat i provave të grumbulluara gjatë hetimeve, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve.
Mbi bazën e provave të grumbulluara nga strukturat hetimore të DVP Fier, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka vendosur në mungesë masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, për shtetasit:
A. Z., 37 vjeç dhe E. T., 29 vjeç, të dy banues Fushë Krujë;
E. Xh., 27 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë;
S. alias R. C., 39 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, në zbatim të vendimit të Gjykatës, nga ana e Policisë është ushtruar kontroll në banesat e këtyre shtetaseve. Në përfundim të veprimeve është bërë shpallja e tyre në kërkim kombëtar dhe vijon puna edhe për shpalljen në kërkim ndërkombëtar.
Gjatë veprimeve hetimore, strukturat e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe dy automjetet që janë përdorur nga autorët për të kryer vrasjen dhe për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Vijon puna për lokalizimin e tyre dhe po bashkëpunohet me homologët, pasi dyshohet se mund të jenë larguar drejt një vendi të BE-së.
Gjithashtu, nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore nga strukturat e Policisë, për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje kriminale./TCH
Rita Ora feston sot ditëlindjen e 34-të
Zeqiri: Një shoqëri e mire është kur të gjithë kanë qasje të...
Osmani takohet me ministrin kolumbian, theksohet rëndësia e ...
Ukraina thotë se Rusia e ka sulmuar me afër 200 dronë
61-vjeçarja nga Shkupi sjell në jetë fëmijën e saj të parë
Ambasadori i Zvicrës: Qeveria e Kosovës ka marr hapa të mëdh...