Google ADS

Vrasja e çiftit në Gjirokastër, si shpëtoi djali 19-vjeçar i Afërditës nga granatat dhe plumbat

08:35 | 26 Tetor 2017
Arbresh.info

Një konflikt pronësie mes dy kushërinjve, përfundoi në mënyrën më tragjike në qytetin e Gjirokastrës, mëngjesin e djeshëm në këtë qytet, ku burrë e grua, Aleko dhe Afërdita Kosta, 66 vjeç dhe 49 vjeçe, u qëlluan për vdekje me breshëri kallashnikovi në shtëpinë e tyre.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 7 e 30 minuta, në lagjen “Palorto”, në rrugën “Sokaku i të Marrëve”, shumë pranë me shtëpinë e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare. Nga kjo ngjarje, mbeti i plagosur rëndë edhe autori i krimit të dyfishtë, Apostol Kosta, 70 vjeç. Ai tentoi të vetëvritej pasi qëlloi me breshëri kallashnikovi djalin e xhajës së tij bashkë me bashkëshorten, por mbeti i plagosur. Burime nga Policia e Gjirokastrës bënë të ditur se dy familjet, shtëpitë e të cilëve ishin ngjitur me njëra-tjetrën, prej 10 vitesh ishin përfshirë në një proces gjyqësor për një sipërfaqe trualli ku ndanin banesat. Dyshohet se shkak për krimin është bërë ndërtimi i disa shkallëve nga ana e viktimës Aleko Kosta, që ndodhej ngjitur me murin që ndante banesat e dy kushërinjve. Në momentin e ngjarjes, në banesë ka qenë edhe djali 19-vjeçar i familjes, i cili për fat u ka shpëtuar plumbave. Viktima Aleko Kosta njihej si muzikant në qytetin e Gjirokastrës, ndërsa bashkëshortja e tij Afërdita ishte me profesion mësuese. Ndërkohë, autori i krimit, Apostol Kosta, i cili tentoi të vetëvritej ndodhet në gjendje të rëndë, në Spitalin e Traumës në Tiranë, sepse ka marrë një plumb në pjesën e nofullës.

Ngjarja

Krimi i rëndë i ndodhur të mërkurën në Gjirokastër, mund të kishte pasur pasoja edhe më tragjike. Afërdita dhe Aleko Kosta, u ekzekutuan me kallashnikov nga Apostol Kosta, kushëri me 66-vjeçarin. Sipas informacioneve, 70-vjeçari mësohet se fillimisht kishte tentuar t’i vriste ata me granata, duke i hedhur në banesën e çiftit. Por, pasi granatat nuk shpërthyen, i moshuari nuk u dorëzua dhe i qëlloi ata për vdekje me kallashnikov. E gjithë kjo ngjarje, ndodhi në kohën kur në banesë ndodhej edhe djali 19-vjeçar i Afërdita Kostës, të cilin 49-vjeçarja e kishte nga martesa e mëparshme. Vrasja e dyfishtë erdhi pas një konflikti mes palëve për një mur ndarës të shtëpive. Çështja në fjalë kishte shkuar në gjykatë dhe kjo e fundit kishte vendosur që muri i përkiste viktimës. Disa ditë më parë, autori ishte përballur edhe me përmbarimin, që i kishte lënë kohë 70-vjeçarit për ta prishur vetë murin. Madje, sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, kur i ishte komunikuar ky vendim nga përmbarimi, Apostol Kosta ishte shprehur se: Di unë si ta zgjidh këtë punë! Pa vonuar shumë, ai ekzekutoi kushëririn bashkë me nusen e tij. Pasi i mori jetën çiftit Kosta, Apostol Kosta e drejtoi armën nga vetja, duke mbetur i plagosur. Pas ngjarjes, në shtëpinë e viktimave shkuan forcat xheniere të RENEA-s, për të hequr granatat e pashpërthyera.

Viktimat

Krimi i dyfishtë i ndodhur që në orët e para të mëngjesit, ka tronditur banorët e Gjirokastrës. Ata janë shprehur se nuk pritej të ndodhte një ngjarje e tillë në këtë qytet, pasi sipas tyre gjirokastritët nuk vriten për një konflikt pronësie. Sipas banorëve të lagjes ku banonin viktimat, këta të fundit ishin shumë të respektuar si me njëri-tjetrin, por edhe me fqinjët. Ata janë shprehur se kanë qenë në dijeni për konfliktin që dy palët kishin, por ishte menduar se gjithçka do të zgjidhej në gjykatë dhe askush s’do të kishte probleme. Ata thonë se 66-vjeçari ishte me profesion muzikant, ndërsa 49-vjeçarja ishte mësuese në një nga shkollat e qytetit. Madje, momentin e ngjarjes, Afërdita Kosta mësohet se ishte duke u bërë gati për të shkuar në punë. Gjithçka iu pre në mes, pasi në banesë ka hyrë Apostoli dhe ka qëlluar me breshëri në drejtim të saj, duke mos i lënë asnjë mundësi të veprojë. Po ashtu ka bërë edhe me kushëririn e tij Aleko Kosta. Ndërkohë, në njërën dhomë të banesës së çiftit, flinte djali i Afërditës. Fqinjët tregojnë se ai është ngritur i tmerruar duke përqafuar nënën e mbuluar në gjak dhe kërkonte ndihmë për ta shpëtuar. Afërdita Kosta, mësohet se kishte pak vite që ishte martuar me 66-vjeçarin Aleko, pas divorcit me burrin e parë.

Djali i viktimës

Personi që do ta vuajë më shumë këtë ngjarje tragjike, është djali i Afërdita Kosta, Harri Kosta. Kur autori 70-vjeçar sulmoi me granatë dhe kallashnikov banesën ku banonte Aleko dhe Afërdita Kosta, në brendësi të saj ndodhej edhe 19-vjeçari. Ai mësohet se ka qenë në gjumë momentet e para, por është zgjuar i tmerruar nga të shtënat e kallashnikovit. Fatmirësisht ai u shpëtoi plumbave të lëshuar nga Apostol Kosta, dhe doli pa dëmtime nga sulmi që u mori jetën dy prindërve të tij. Harri ishte djali i Afërditës nga martesa e saj e parë. Pasi ajo ishte martuar me Alekon, çifti nuk kishte fëmijë tjetër. Në profilet e tyre në “Facebook”, gjenden foto të shumta, ku të tre kanë udhëtuar apo shëtitur në vende të ndryshme.

Gjyqi për pronën

Vrasja e dyfishtë ndodhi shumë pranë banesës së shkrimtarit të njohur Ismail Kadare. Gjithçka e ka zanafillën tek një konflikt pronësie, që Gjykata e Gjirokastrës e mbylli duke iu dhënë të drejtë Aleko Kostës. Prej gati 10 vitesh, Aleko dhe kushëriri i tij Apostol Kosta, endeshin gjykatave për të ndarë se kujt i përkisnin rreth katër metër tokë që ndante banesat e tyre, e mbi të cilën ishte ngritur një mur rrethues. Ndërtimi i shkallëve nga ana e muzikantit, ishte konsideruar e padrejtë nga djali i xhaxhait të tij. Që nga ky moment, ata i kishin ndërprerë marrëdhëniet me njëri-tjetrin dhe kërkonin të drejtën në gjykatë. Disa ditë më parë, gjykata kishte vendosur t’i jepte të drejtë Aleko Kostës. Pas këtij vendimi, Apostoli ishte shprehur që: Do ta përfundoj vetë këtë punë, e zgjidh në mënyrën time! Por, edhe pse 70-vjeçari u shpreh kështu, fjalët e tij nuk i bënë përshtypje askujt. E papritura ndodhi. Ai mori kallashnikovin dhe qëlloi për vdekje çiftin Kosta që në orët e para të mëngjesit.

Familja e viktimës

Menjëherë pas ngjarjes, në polici janë shoqëruar edhe të afërmit e Apostol Kostës. Banesa e tyre me të viktimës mësohet se janë ngjitur me njëra-tjetrën. Por, sipas burimeve të policisë, familja e 70-vjeçarit nuk kishte dijeni mbi veprimet që do të kryente ai. Ata janë shprehur që nuk e kanë parë Apostolin të dilte nga shtëpia, ndërsa kanë dëgjuar vetëm të shtënat e armës. Në vendngjarje mësohet se ka shkuar menjëherë djali i madh i autorit, i cili ia ka hequr armën nga duart 70-vjeçarit. Pas kësaj, ai ka dërguar në spital babanë e tij, i cili kishte lënë të vdekur Aleko dhe Afërdita Kosta. Gjithashtu, ata kanë pohuar në polici edhe shkakun e ngjarjes, që ishte pronësia e një copë toke që ndante dy banesat.

Akuzat

Edhe pse i plagosur rëndë, Policia e Gjirokastrës ka ngritur ndaj 70-vjeçarit akuzën e “Vrasjes me paramendim” dhe “Armëmbajtjen pa leje”. Burimet thanë që ai po mbahet nën mbikëqyrjen e mjekëve në Spitalin e Traumës në Tiranë. Gjendja e tij është e rëndë, ndërsa mësohet se është i shpërfytyruar. Një plumb thanë burimet, i ka çarë pjesën e nofullës.

Surpriza që Afërdita i bëri Alekos në televizion

Sipas banorëve të lagjes “Palorto”, 49-vjeçarja ishte mësuese në një shkollë fillore në Gjirokastër, nënë e një djali 19-vjeçar, i cili ndodhej në shtëpi kur ndodhi ngjarja e rëndë. Djalin, ajo e kishte nga një martesë e mëparshme. 19-vjeçari është student infermierie në qytetin e Gjirokastrës. Me 66-vjeçarin Aleko, mësuese Afërdita kishte rreth 5 vjet martesë. Ata kishin një marrëdhënie të veçantë, të cilën e kanë treguar edhe një vit më parë edhe në emisionin “Ka një mesazh për ty”, tek “E Diela Shqiptare”. Ndërsa, vetë Aleko kishte pasion dhe talent të veçantë për saksofonin. Çifti Kosta, në muajin janar të 2016-ës ishte në studion e “Ka një mesazh për ty”, në “E Diela Shqiptare”. Afërdita do t’i bënte në atë kohë bashkëshortit të saj një surprizë e ky i fundit, sapo në ekran shfaqej Afërdita reagoi duke thënë “shpirti im”. “Shpirti im që i dha kuptim jetës time. Është njeri shumë njerëzore, shpërndan shumë mirësi”, shprehej 66-vjeçari për Afërditën. “Nuk mund të bëja ndryshe. Që je një burrë i bukur nuk e shoh vetëm unë e shohin të gjithë…”, ishin fjalët me të cilat bashkëshortja e tij 49-vjeçare do t’i drejtohej të ndjerit. Afërdita Kosta, tek emisioni “E Diela Shqiptare”, kishte shkuar për t’i kërkuar bashkëshortit që të mos hiqte dorë nga muzika, pasioni i tij. “Takimi i parë më bëri shumë përshtypje. Atë e vuri Zoti para meje dhe a thua kishte një jetë që më kishte njohur. Më tregoi të gjithë historinë e tij. Unë vetëm e kam parë, nuk e kam zbërthyer gojën fare, fare. Nuk dija çfarë t’i thosha, vetëm rrija e shikoja. Thashë me vete, ky është një njeri që ka edhe dhimbje brenda por, është një njeri që rrallë e takon”, është shprehur ajo për njeriun e saj të zemrës. Nga ana tjetër, ajo i kërkoi Alekos që mos ta linte mënjanë saksofonin. “Ky saksofon për ty është i shtrenjtë, por për mua është edhe më i shtrenjtë. Në këtë saksofon ke vënë të gjithë jetën tënde, ke dhënë shpirtin dhe unë nuk mund ta qenien tënde pa këtë saksofon. Vazhdo luaj. Vazhdo bjeri saksofonit, sepse ti ke lindur për t’i rënë saksofonit”, i është drejtuar Afërdita 66-vjeçarit./shekulli

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme