Google ADS

Vrasja e Artan Santos, zbulohet dëshmia e djalit: Më parakaloi një motor i zi

01:48 | 20 Janar 2021
Trina Galanxhi

Pas veturës me targa AA 111 AX të Artan Santos ishte vënë pas një motor me dy persona të veshur me xhupa të errët, me skafandra që u mbulonin mirë fytyrën. Ishin të njëjtët njerëz, i njëjti motor që e ndiqte prej ditësh. Imazhet e errëta të tyre binin shumë në sy. Madje, i kishin bërë përshtypje më herët djalit të bankierit, Egit, siç zbulohet në dëshminë e tij në prokurori që Top Story e disponon.

“Dy apo tre ditë para shoferi më ka marrë me makinën e bankës nga shtëpia për të më çuar në punë. Në rrugicat e lagjes parakaloi një motor i madh, me ngjyrë të zezë mbi të cilin udhëtonin dy persona të veshur me rroba të errëta dhe kokore të zeza” – tha Egi Santo, djali i bankierit Artan Santo.

Edhe shoferi Fatmir Balla konfirmon se e kishte parë më herët motorin por nuk I kishte kushtuar rëndësi. Ai konfirmon se ishte i njëjti me atë të ditës së krimit. Itinerari i tyre ishte i njëjtë. Mëngjesin e 26 qershorit, vrasësit nuk i ndahen mjetit gjatë gjithë rrugëtimit siç bënin prej ditësh. Pamja e tyre e dyshimtë, nuk kishte rënë në sytë e Santos.

“Një javë përpara e kisha takuar, dhe mund të them që ai nuk ka pasur asnjë lloj shqetësim, zero zero…” u shpreh Llazi Balliu, ish-koleg i Artan Santos.

Itinerari i ndjekur është me drejtim nga televizioni shqiptar, Kryeministria, Bulevardi, Kryesia e Kuvendit dhe ndalesa te drejtoria qendrore e Credins në ish-bllok. Aty, Santo zbret nga mjeti ku e priste miku i tij Eduard Mazi.

“Në momentin që unë kam qenë pas një tabele reklame e vendosur në trotuar, u bënë 2 gjuajtje, ndoshta 3, se kam llogaritur, s’më shkoi mendja, plus amortizimi tabelës para. Vetëm pas pak konstatova që shumë afër meje u shtri përtokë Artan Santo. Kjo është e fundit, momenti fundit i tij..” – u shpreh Eduart Mazi, mik i Artan Santos.

Plumbin e parë që e rrëzoi përtokë, Santo e mori në shpatull. Në ato momente, vrasësi u bërtet kalimtarëve të rastit të largohen. Në grahmat e fundit, bankieri përpiqet me sa mundet ti largohet rrezes së armës siç duket nga kamerat e sigurisë. Por, vrasësi dukej një profesionist gjakftohtë i sigurt në realizimin e qëllimit kriminal. Ai zbret nga motori, i vihet nga pas objektivit dhe e qëllon dy herë të tjera në kokë. Ishte e qartë detyra që autorët e krimit kishin marrë: duhej të siguroheshin ti jepnin fund bankierit./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme