Vrasja e 14-vjeçarit, Rama: Dinamika e tragjedisë nxjerr në pah kërcënimin permanent nga rrjetet sociale

13:42 | 20 Nëntor 2024
E.K

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama reagoi sot pas vrasjes së një 14-vjeçari në Tiranë nga një tjetër adoleshent, ndërsa u shpreh se autoriteti i prindërve dhe i mësuesve për edukimin e fëmijëve sfidohen orë e çast nga bota paralele e rrjeteve sociale.

Në një komunikim me mediet pas mbledhjes së qeverisë, Rama u shpreh se shpeshherë edhe shëndeti mendor i më të vegjëlve dhe adoleshentëve vihet seriozisht në pikëpyetje.

“Prej tre ditësh i madh dhe i vogël është tronditur nga vrasja e një nxënësi 14-vjeçar me thikë nga një adoleshent tjetër. E gjithë dinamika e tragjedisë nxjerr në pah kërcënimin permanent me të cilin jetojnë të gjitha familjet që rrisin fëmijë në botën e sotme, ku rrjetet sociale dhe posaçërisht Tik Tok apo Spanchat thithin përditë në labirintet e tyre fëmijët tanë qysh në moshat më të vogla. Autoriteti i prindërve dhe i mësuesve si dhe të gjitha përpjekjet tona në familje apo në shkollë për edukimin e fëmijëve sfidohen orë e çast nga bota paralele e këtyre rrjeteve, ku nuk ka asnjë filtër mbrojtje, stimul pozitiv në mbështetje të këtyre përpjekjeve dhe ku jo vetëm edukimi, por deri edhe shëndeti mendor i më të vegjëlve dhe adoleshentëve vihen seriozisht në pikëpyetje”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se këto janë të vërteta të thjeshta me të cilat nuk është e vështirë të mos biem të gjithë dakord, si prindër apo si qytetarë dëshmitarë që shoqërisë të kohës të botës së sotme.

Ndërkohë, Rama tha se “çdo prind është dëshmitar i faktit se presioni i tërheqjes së fëmijëve ndaj ekraneve të smartfoneve bëhet gjithmonë e më i papërballueshëm edhe vetë brenda mureve të shtëpisë”.

“Ne si qeveri jemi angazhuar prej kohësh në hulumtimin e kësaj problematike duke ndjekur hap pas hapi se çfarë bëjnë vendet e tjera por edhe në kërkimin e zgjidhjeve të mundshme për ta ulur këtë presion gjithnjë e më të frikshëm”, shtoi ai./atsh.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme