Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në urimin tradicional të fundvitit, shprehet besimplotë se “Shqipëria do të bëhet”.
Sipas kryeministrit, Shqipëria doli nga tranzicioni, teksa “jemi duke ecur gjithnjë e më shpejt e duke mësuar se si t’i bëjmë gjërat gjithnjë e më mirë”.
Duke bërë një përmbledhje të shkurtër të vitit që po lemë pas, kryeministri tha se besimi te Shqipëria u rrit ndjeshëm, flamuri ynë u duk më bukur se asnjëherë në skenën ndërkombëtare dhe vendi ynë u vizitua më shumë se në çdo vit tjetër më parë nga njerëz që erdhën nga e gjithë bota.
Urimi i kryeministrit shqiptar, Edi Rama:
Të dashur miq,
Ky që po mbyllet ishte një tjetër vit i një kohe ndryshimi marramendës për njerëzimin, ndryshimi më marramendës i historisë njerëzore, ku progresi teknologjik ka hyrë në një shpejtësi të paimagjinueshme deri pak vite më parë.
Po një gjë është e sigurtë.
Teknologjia as nuk na e merr dot, kohën që na është dhënë në këtë tokë me nënën, babën, fëmijët, familjen, rrethin e njerëzve të dashur, as nuk na i zëvendëson dot ata që duam e na duan, bashkë me vendin ku jemi lindur e ku flasim gjuhën e nënës.
Na takon ne të bëjmë më të mirën me këtë kohë që na është dhënë dhe sonte, unë ju uroj gjyshërve, nënave e baballarëve, fëmijëve e fëmijëve të fëmijëve, nipave e mbesave, të gjithë shqiptarëve kudo ku janë, një mbrëmje të gëzuar në tavolinën e festës së madhe të këtij fundviti dhe një Vit të Ri siç jua do zemra, shëndet, paqe e dashuri, e me mundësi të reja për realizimin e ëndrrave dhe përmbushjen e shpresave.
Ky ishte padiskutim viti më i mirë i Shqipërisë; besimi te Shqipëria u rrit ndjeshëm, flamuri ynë u duk më bukur se asnjëherë në skenën ndërkombëtare, ndërsa vendi ynë u vizitua më shumë se në çdo vit tjetër më parë nga njerëz që erdhën nga e gjithë bota.
Ky ishte viti i hyrjes së Shqipërisë me dinjitet në hartën turistike të Europës; të ardhurat dhe siguria e Shqipërisë u rritën gjithashtu, bashkë me investimet e brendshme e të huaja, që arritën shifrën më të lartë ndonjëherë, njësoj siç u fuqizua monedha jonë, e cila nuk ka qenë kurrë më e fortë se sa sot; rritja e pagave vazhdoi për të mos u ndalur vitin e ardhshëm, kur do të arrijmë në 900 Euro nivel të pagës mesatare në sektorin publik dhe do të kemi një rritje rekord të pagave në sektorin privat…
Por kjo nuk është dita e as ora për t’ju folur më gjatë për shumë gjërat e mira që u bënë këtë vit…
Madje ky është momenti për t’ju falenderuar thellësisht nga zemra për sa shumë më keni inkurajuar, mbështetur, po edhe duruar në aq shumë herët që ju jam shfaqur gjatë vitit në ekranet tuaja pa ju marrë leje, dhe për t’ju siguruar se jam shumë i vetëdijshëm, edhe për gjërat që s’kanë shkuar mirë, edhe për shumë gjërat që duhen bërë më tutje…
Ç’ka kemi bërë deri këtu nuk do të kishte asnjë vlerë nëse do të ndalej këtu, por edhe me kaq e ka një vlerë të madhe për besimin se ky vend më në fund po bëhet; se ky vend ka dalë më në fund nga kthesa e gjatë dhe e vështirë e tranzicionit të mundimshëm; se këtë vend po e bëjmë ne, shqiptarët e kësaj kohe, të gjithë bashkë, hap pas hapi, duke ecur gjithnjë e më shpejt, e duke mësuar se si t’i bëjmë gjërat gjithnjë e më mirë.
Shqipëria Zonjë, nuk është më një amanet i penguar qysh prej kohës së rilindasve tanë, po është tanimë misioni ynë krejt i mundur; një realitet që ka nisur të marrë formë dhe është bërë i arritshëm me sy, si më e mira që është e gjitha përpara nesh!
Gëzuar.\tch
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...