Në fillim të javës që vjen në Uashington përurohet Muzeu kushtuar Viktimave të Komunizmit. Ky është muzeu i parë në botë i këtij lloji që përshkruan historinë e komunizmit, si dhe shtrirjen e tij aktuale në nivel botëror, në Evropë, Azi dhe Amerikën e Jugut.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, poeti dhe shkrimtari i njohur Visar Zhiti, vetë një ish i burgosur politik, thotë se e sheh hapjen e muzeut, jo vetëm si një lajm të bukur, por edhe si një bëmë me rëndësi për kujtesën.
Sipas zotit Zhiti, Shqipëria ka bërë hapa të dukshme në drejtim të kujtesës, të dukshme, por jo të ndjeshme, sikurse ai thekson. Shkrimtari i njohur hedh idenë e hapjes së një muzeumi të qëndresës në Shqipëri pasi sikurse thotë, vendi e ka më të rëndësishme të rrëfejë drejtë e thellë qëndresën. Shqipëria, thotë zoti Zhiti ka qëndruar dhe luftuar si askush tjetër. Me zotin Zhiti bisedoi Menada Zaimi.
Zëri i Amerikës: Zoti Zhiti, çfarë do të thotë për ju çelja e një muzeu të tillë, e çfarë do të thotë për Shqipërinë, për të gjithë ata që kanë patur mundësinë ta rrëfejnë historinë e tyre të vuajtjes nën regjim, por edhe për ata që nuk e patën këtë mundësi? Ju vetë jeni arrestuar e burgosur në moshë të re, vetëm 26 vjeç, dhe vetëm për një arsye, pasi shkruanit poezi.
Visa Zhiti: Lajmi për hapjen e një muzeu të tillë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vendin kampion të lirisë, e të demokracisë, e shoh jo vetëm si një lajm të bukur, por dhe si një bëmë me rëndësi për kujtesën. Nuk është thjesht kujtesë, por edhe qëndrim. Janë mbi 100 milionë viktima të vrarë nga komunizmi në të gjithë botën, më shumë sesa kanë shkaktuar dy luftra botërore. Dhe muzeu i konsideron me të vërtetë viktima, por në rastin e Shqipërisë dhe të shumë vendeve të tjera që ishin nën thundrën e diktaturave komuniste, nuk janë thjesht viktima, por janë edhe kundërshtarë, janë edhe disidentë, janë edhe martirë, siç ka Shqipëria jonë. Është një lajm i madh do të thosha. Është një hap në drejtim të kujtesës, por në kujtesën e së ardhmes, për ta bërë atë më mirë, në mënyrë që të mos lejohet e keqja e dikurshme, por njëkohësisht ta bëjmë së bashku të mirën tonë, të mirën e njerëzimit. Ëndrra jonë është të ketë edhe një stendë të Shqipërisë, dhoma e Shqipërisë.
Zëri i Amerikës: Zoti Zhiti, a ka bërë Shqipëria mjaftueshëm për ta rrëfyer e kujtuar, për ta njohur drejtë e thellë, sikurse keni thënë ju, të kaluarën, që ajo të mos përsëritet? A janë të rëndësishme simbolikat po aq sa veprimet?
Visa Zhiti: Shqipëria ka bërë shumë ndryshime për të thënë të vërtetën. Dhe në këtë drejtim, në drejtim të kujtesës, ka bërë hapa të dukshme. Të dukshme, por jo të ndjeshme. Vërtet janë hapur në Shqipëri muzeume të kujtesës. Për shembull kujtoj Bunkerart-in, një Bunkart 2 apo Shtëpinë me Gjethe, apo shtëpi të tjera përreth qendrës në Tiranë. Këto të gjitha në një farë mënyrë i tregojnë shikuesit, i tregojnë qytetarëve, i tregojnë brezave të së ardhmes, forcën dhe inteligjencës e diktaturës, si punoi ajo. Një shembull është një sallon i nëndheshëm, ku do futej udhëheqja në rast se do të kishte bombardime atomike, apo Shtëpia me Gjethe si përgjoheshin qytetarët, apo ambasadat e huaja në Tiranë, ndërsa Bunkart 2 është puna e ministrisë së Punëve të Brendshme, kapja, arrestimi e të tjera. Shqipëria e ka më të rëndësishme qëndresën. Shqipëria ka qëndruar si askush tjetër. Ka luftuar. Ndaj do të ishte i nevojshëm muzeu i qëndresës. Muzeu i atyre njerëzve të thjeshtë, në apartamentin e tyre, ku kanë jetuar ngushtë. Do të ishte shumë me interes një apartament i vogël tipik, kudo në Shqipëri, ku kanë jetuar ngushtë, dy ose tre kurora, dy ose tre familje, me ato furnellat e këqija që gatuanin dhe me Zërin e Amerikës që e dëgjonin fshehurazi, i cili shpaloste dhe tregonte seç ishte diktatura dhe njëkohësisht i frymëzonte njerëzit për të qëndruar. Më vjen mirë që edhe tani për kujtesën, ju po prini. Pra duhet të shkoni tek muzeume të tilla të mëdha, pastaj tek Spaçi, tek Qafë-Bari, janë dy burgje të tmerrshme, ku ka ndodhur ajo që nuk ka ndodhur në të gjithë perandorinë e lindjes komuniste. Kanë ndodhur dy revolta të mëdha, e këto duhen treguar. Shqipëria ka qëndruar me dinjitet.
Zëri i Amerikës: Zoti Zhiti shumë vëzhgues e shohin dekomunistizimin si një proces të gjatë e të dhimbshëm dhe thonë se Shqipëria nuk ka bërë shumë përparim në drejtim për shkak se ka ecur me filozofinë e bashkëfajtorit dhe bashkëvuajtësit. Kush e ka fajin për këtë?
Visar Zhiti: Natyrisht, kjo është e vërtetë. Dekomunistizimi është shumë i ngadalshëm dhe shpesh herë jo në rrugën e duhur. Unë mendoj si shumë bashkëvuajtës të mi, se përgjegjësia më e madhe bie tek institucionet, tek institucionet e kujtesës dhe institucionet e shtetit, shkurt tek qeveria. Sepse të burgosurit, apo të përvuajturit, apo të përndjekurit, të internuarit dhe qytetarët i kanë sjellë kujtimet e tyre, librat e tyre, me qëndrimin e tyre. E kanë mbështetur demokracinë kudo, dhe institucionet apo shteti, apo qeveria, jo se nuk kanë bërë. Shpesh herë gjërat janë bërë edhe për t’u dukur ose ashtu kemi ditur t’i bëjmë. Duhet fryma, fryma njerëzore e asaj vuajtje, asaj dhimbjeje, e cila të mos jetë thjeshtë kujtesë, por të shndërrohet në përvojë, të shndërrohet në rrëfim. Edhe kjo t’i shërbejë së pari njohjes, njohjes së vetvetes, njohjes të së vërtetës, njohjes së vuajtjes, dhe e gjitha kjo të shërbejë si një mburojë dhe si një armë, për t’u ruajtuar nga e kaluara e keqe, nga e kaluara e rrezikshme. Për të ndërtuar, e përsëris atë që duket aq e thjeshtë dhe aq e kollajshme në thënë, por aq e vështirë në të bërë, një të tashme të mirë, të sigurtë, të përbashkët, ku të dënohet e keqja bashkarisht, dhe bashkarisht të ndërtohet më e mira e të gjithëve.
Zëri i Amerikës: Kanë kaluar mbi 30 vjet nga rënia e regjimit komunist në Shqipëri. A druheni ju se sa më shumë vite kalojnë, mund të bëhet gjithnjë e më e vështirë për brezat e rinj, që ta njohin siç duhet të shkuarën komuniste të vendit, dhimbjen e viktimave, e martirëve të tij, e madje ta humbasin edhe interesin për ta njohur?
Visat Zhiti: Vëzhgimi juaj është shumë i saktë. Unë do të thosha se nuk është druajtje, por kam frikë se është një realitet. Është një realitet ku herë herë duket sikur më shumë bëhet për harresën sesa për kujtesën. Ne vërtetë duhet të harrojmë, duhet të harrojmë që ta kemi mendjen tek ndërtimi i më të mirës, i së ardhmes. Por duhet të harrojmë duke kujtuar atë që nuk harrohet, sepse do të na kthehet siç thuhet vazhdimisht, më me galop, dhe do të jetë më e keqe kthimi i saj. Dhe ka revanshe. Prandaj unë e shikoj këtë akt të kujtesës, këtë akt të sjelljes, së frymës së vuajtjes dhe të dhimbjes, jo thjeshtë si nostalgji dhe nderim për ata që vuajtën dhe u persekutuan dhe humbën, por së pari si një akt ndaj së vërtetës. Është një pjesë e historisë sonë. Së dyti, është pjesë e qëndresës sonë. Njeriu është i paasgjesueshëm. Sot në botë ka mbi 1 miliard e gjysëm njerëz që jetojnë nën regjime totalitare, komuniste. Duhet t’u tregojmë që edhe atyre e ardhmja u takon të kthehen në muze. Por muzeu nuk duhet të jetë thjeshtë një vlerë muzeale, një kujtesë, por duhet të jetë një akt veprues. Ashtu siç janë vërtetë muzeumet në Uashington dhe Amerikë, që janë edhe mësimdhënës. Jo theshtë që ti të vesh e t’i shikosh, e të marrësh një informacion, por të marrësh një mësim, të marrësh një porosi. Shqipëria, dhe nga ky muzeum dhe nga vetja, duhet të nxjerrë porosinë që ne duhet të veprojmë kundra së keqes./VoA/
Abdixhiku sjellë Pallatin e Ri Sportiv, Pishinën Olimpike dh...
Shuhet kureshtja, Diana dhe Arioni më të lumtur se kurrë pra...
Gjendet armë dhe 50 fishekë në valixhen e një pasagjeri në a...
Vëllaznimi shënon fitore të madhe në udhëtim tek Ylli
Gjendet pa shenja jete një 68-vjeçar në Vlorë, dyshohet se u...
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Polon...