Google ADS

Në Hamallaj, tek epiqendra e termetit që shkundi Shqipërinë

08:20 | 5 Korrik 2018
Arbresh.info

Zona e Hamallaj ishte epiqendër e tërmetit prej 6 ballësh që goditi në mesditë Shqipërinë.

Disa banesa kanë pësuar çarje në mure, por fatmirësisht nuk ka patur të lënduar në njerëz.

Sapo ndjeu lëkundjet e para, nëna e dy fëmijëve, e tmerruar mori fëmijët edhe doli jashtë shtëpisë. Kur u kthye në shtëpi, dalloi në mure plasaritjet e shkaktuara nga tërmeti.

“Jemi tmerruar, tavolina lëvizte, kapa fëmijët dhe dola përjashta, vetëm kur u futa pashë ç’kishte ndodhur brenda banesës”.

Në familjen Lleshaj të Hamallajt, pasojat e tërmetit janë të dukshme. Tavani dhe muret kanë pësuar plasaritje nga lëkundjet e forta që përjetoi e gjithë zona.

Nga frika banorët kanë qëndruar jashtë për disa orë.

“Përjashtë ndejta pasha Zotin”.

Edhe në këtë banesë, pasojat janë të dukshme.

Të tjerë banorë tregojnë për Televizionin Klan se tërmeti i sotëm ishte i krahasueshëm me atë të vitit 1972 dhe se të frikësuar dolën nga banesat

Ka qenë i fuqishëm për kësaj radhe, madje boll i fortë ka qenë i ‘72 po edhe ky. Për kishë kam përla fëmijët e kam dalë përjashta dhe kam parë shtëpinë rrotull dhe një faqe muri e kishte plasaritur”, thotë një banor.

 

I fortë ishte, i frikshëm ishte..”, shton një tjetër.

“Unë isha brenda në shtëpi dhe tha tezja dilni jashtë, po kërcisnin gjërat, tjegullat”, shprehet një tjetër banore.

Sipas administratorit të Hidrovorit në Hamallaj, Hysni Kuçana, deri tani rezultojnë të dëmtuara 3 banesa.

“Deri tani kemi 3 familje që kanë raportuar që kemi dëmtime. Njerëzit kanë dalë të gjithë përjashta. Rëndësi ka që shteti të vejë dorë në këto familje pasi janë me shumë halle ekonomike”.

Nga ora 11 e 01 minutë të kësaj të mërkure, vendi ynë është goditur nga më shumë se 50 tërmete të lehta.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme