Seanca e jashtëzakonshme parlamentare nuk solli asnjë rezultat, veç kthimit mbrapsht të procesin të përzgjedhjes së anëtarëve të komisionit të Vetting-ut. E gjendur përballë bojkotit të opozitës, maxhoranca shtyu ngritjen e komisionit ad-hoc që do të votojë emrat që do të përbëjnë organet që do të bëjnë Vetting-un e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndërsa pritej deri në minutat e fundit që Parlamenti të mblidhej për të votuar komisionin adhoc, edhe pa votat e opozitës, kjo gjë nuk ndodhi.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi sqaroi arsyen e shtyrjes së votimit për ngritjen e komisionit ad-hoc. Ai tha se shtyrja e ngritjes së komisionit lidhej me numrin e kufizuar të aplikantëve që plotësojnë kriteret për të qenë anëtarë të dy komisioneve që do të bëjnë Vetting-un. Avokati i Popullit, me vlerësimin edhe të që janë vetëm 21 aplikantë që plotësojnë kriteret, në një kohë që komisionet do të përbëhen nga 27 anëtarë”.
Avokati i Popullit solli një listë prej 21 kandidatësh për 28 vende në komisione. Ai paraqiti i edhe një listë të dytë me 17 emra, të cilët nuk plotësojnë kriteret për mungesë dokumentesh, për dokumente të pa noterizuara, dëshmi të gjuhës së huaj. Komisioni që do ngrinte Parlamenti sot do kishte vetëm 21 kandidatë për 28 vende, gjë që nuk na duket e arsyeshme”,- tha Ruçi.
Në vijim, ai tha se koha për aplikimet ka qenë e shkurtër dhe ka pasur një trysni të madhe ndaj aplikuesve, gjë që sipas tij, ka bërë që ata të mos i plotësojnë dokumentacionet me të gjitha të dhënat. Për këtë arsye, Parlamenti i dha Avokatit të Popullit edhe 7 ditë afat për të nisur procedurën për plotësimin e dokumenteve nga ana e aplikantëve. Ndërkaq, deputetët Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi votuan kundër shtyrjes së ngritjes së komisionit.
Përplasja me Nishanin
Kreu i shtetit, Bujar Nishani ka reaguar mbrëmjen e djeshme lidhur me një deklaratë të kreut të grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi. Ky i fundit tha në sallën e Parlamentit se Nishani nuk ushtori kompetencat e veta. Në reagim, Nishani tha se kjo deklaratë është jo korrekte dhe jo transparente.
“Në lidhje me deklaratën e sotme në seancën e Kuvendit të kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, z. Gramoz Ruci, se Presidenti i Republikës nuk e ushtroi kompetencën e tij në procesin e përzgjedhjes së komisioneve të Vettingut, Institucioni i Presidentit të Republikës informon qytetarët se deklarata nuk është korrekte, por e deformuar dhe jo transparente”,- reagoi Nishani. Në vijim, kreu i shtetit tha se maxhoranca e përjashtoi Presidentin nga procedurat e reformës në drejtësi.
“Për fat të keq, përjashtimi i Presidentit të Republikës nga i gjithë ky proces i rëndësishëm, ka qenë një politikë konstante megjithëse ishte pikërisht Presidenti i Republikës, institucioni i parë që inicioi fillimin e reformës së drejtësisë në tetor të vitit 2014 kur ende askush nuk po merrte një iniciativë të tillë”,- u shpreh Nishani. Negociatat Përgjatë këtyre ditëve pritet që maxhoranca sërish t’i drejtohet opozitës me kërkesën që të dërgojë emrat e saj për komisionin ad-hoc dhe ngritja e këtij komisioni të bëhet me konsensus.
Përfaqësuesit e maxhorancës dhe opozitës përgjatë javës së kaluar shprehën vullnetin për t’u ulur në një tavolinë për të diskutuar rreth kërkesave të opozitës për rikthimin e saj në Parlament. Pritet të shihet nëse do të ketë ndonjë ndryshim për qëndrimet që mbajnë të dyja palët për kërkesën për qeveri teknike.
Lulzim Basha
Kreu i PD-së, Lulzim Basha shprehu edhe një herë qëndrimin e PD-së për reformën në drejtësi. “Jemi këtu që të garantojmë kushtet për një garë të ndershme, jo për pushtetin e PD-së. Kjo betejë është më e madhe se opozita, ajo përfshin çdo shtetas shqiptar. Vendi është në një situatë të jashtëzakonshme për shkak të krimit dhe drogës. Zgjidhja për të datë nga kjo situatë është vetëm një, zgjedhje të lira përmes një qeverie teknike”,- tha Basha.
Ylli Manjani
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar dje ndaj mundësisë për miratimin e njëanshëm të komisionit ad-hoc që ishte parashikuar të ngrihej dje. “Ndërtimi i komisioneve të Vetting-ut pa opozitën, përveç se poshtërsi politike, është puç kushtetues. PD është opozita politike zyrtare!”,- reagoi Manjani.
Ben Blushi
“Votova kundër trukimit të procesit të Vetting-ut në Kuvend. Shtyrja do të thotë më shumë kohë për pazare dhe përcaktim politik të kandidateve që do bëjnë kontrollin e gjyqtarëve. Lehtësia me të cilën po sabotohet Reforma në Drejtësi është një peshë që do e shkatërrojë këtë klasë politike”.
Sara: U bëra akull, sepse nuk e prisja nga Driloni
Lushtaku inicion Memorialin historik për daljen e parë publi...
Musliu: Urgjentisht të fillojnë hetimet ndaj drejtorit të RT...
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?