Google ADS

“Vetëvendosje”: Nuk ka drejtësi derisa të ikë Ardi Veliu

00:56 | 12 Dhjetor 2020
Trina Galanxhi

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri, ka reaguar pas protestës që është zhvilluar për të tretën ditë radhazi për vrasjen e Klodian Rashës. Ajo shkruan se protestat në qytete të ndryshme të Shqipërisë ishin të qytetarëve që refuzojnë t’i nënshtrohen gjuhës së dhunës dhe represionit të shtetit policor. VV thotë se për aq kohë sa në krye të policisë do të jetë Ardi Veliu nuk do të ketë drejtësi, për Klodian Rashën.

DEKLARATA

Protesto
Protestat e sotme në qytetet e ndryshme të Shqipërisë ishin protesta të qytetarëve që refuzojnë t’i nënshtrohen gjuhës së dhunës dhe represionit të shtetit policor. Nuk është vendosur ende drejtësi për vrasjen e Klodian Rashës. Nuk mund të vendoset drejtësi, sa kohë në krye të Policisë së Shtetit qëndron një zyrtar i kriminalizuar si Ardi Veliu, që përgatiti fshehjen e krimit duke mashtruar publikun për vrasjen e Klodianit.
10 vite më herët, kur qytetarët dolën në protestë, pushteti i quajti “kokëpalarë”. Sot, 10 vite më vonë, kur qytetarët janë hedhur sërish në protestë kundër shtetit policor, pushteti i quajti “lukuni halabakësh”. Përmes termit “lukuni”, pushteti sot i barazoi qytetarët me kafshët. Përmes etiketës ofenduese “halabakë”, pushteti i barazoi protestat për drejtësi me rrugaçëri. Pas kësaj, pasi i ke zhveshur qytetarët nga atributet dhe të drejtat e njeriut, atëherë është me e lehtë t’i rrahësh e t’i gjakosësh, dhe në fund edhe t’i vrasësh … si kafshë. Nga kjo gjuhë buron edhe dhuna e shtetit policor – e njëjta dhunë që i mori jetën Klodianit.
Sot protestohej për të tretën ditë radhazi, dhe këto protesta nuk kanë për t’u ndalur as nga gjuha e dhunës së një kryeministri të verbuar nga pushteti, e as nga represioni policor. Këto protesta janë vetëmbrojta e qytetarëve kundër dhunës së përditshme të shtetit policor. I bëjmë thirrje mijëra e mijëra punonjësve të forcave të policisë të mos i binden urdhërave të një klike që ka kapur Policinë e Shtetit, dhe të kërkojnë bashkë me qytetarët shkarkimin dhe hetimin e Ardi Veliut, deri tek arrestimi i tij.
Tiranë, 11 dhjetor 2020
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme