Google ADS

Vetëm reciprociteti sjell fqinjësi të mirë mes Shqipërisë e Greqisë

10:18 | 8 Shtator 2019
Arbresh.info

Para disa ditësh u njohëm me një letër të kryeministrit grek, z. Micotaqis. Përmes kësaj letre, ai përgëzonte partinë e minoritetit grek në Shqipëri për fitoren e arritur në një bashki shqiptare në 30 qershor!

Në vijim, letra e z. Micotaqis përcillte edhe një mesazh kërcënues, shantazhues dhe kushtëzues ndaj shtetit shqiptar ku kërkohej realizimi i të gjitha të drejtave ndaj minoritetit grek këtu, në të kundërt Greqia do të vendosë veton në Këshillin e Evropës për mos hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, që mendohet të ndodhë në tetor të këtij viti. Kësaj i thonë ‘këngë e re, avaz i vjetër’.

Tashmë veprime të tilla të shtetit grek kundër Shqipërisë e shqiptarëve nuk janë të panjohura, pra nuk bëjnë më përshtypje. Koherenca e politikës së Athinës, e të gjitha qeverive të saj, vazhdon të jetë e njëjtë. Greqia, edhe pse anëtare e BE, që presupozohet demokratike, është vendi më antidemokratik në raport me fqinjët e saj.

Por, le të kthehemi te minoriteti grek në Shqipëri. Nga censusi i fundit në Shqipëri, realizuar disa vite më parë, një census shumë i saktë, demokratik dhe shumë transparent, rezultoi se minoriteti grek këtu ishte afërsisht 36 mijë banorë. Ky minoritet në Shqipëri është njohur dhe respektuar që nga lindja e shtetit të parë shqiptar, gjatë mbretërisë shqiptare, diktaturës komuniste si dhe sot në sistemin politik demokratik, duke iu njohur të gjitha të drejtat që iu garantohen konform kartave ndërkombëtare për minorancat.

Dihet tashmë se për një fqinjësi të mirë mes dy shteteve e dy popujve, në themelet duhet të qëndrojë reciprociteti. Mirë bën kryeministri grek që i kërkon të drejtat e minoritetit grek të tij në Shqipëri. Por vetiu lind pyetja: a i njeh shteti grek dhe kryeministri i tij minoritetet në shtetin grek dhe a i respektojnë ato? Në veçanti, të drejtat e një minoriteti arvanitas dhe sot shqiptar? A i njeh Greqia të drejtat e komunitetit çam (mysliman), ish-minoritet shqiptar brenda kufijve politikë të Greqisë deri në vitin 1944-1945?

Greqia jo vetëm që kurrë nuk i ka njohur, por përkundrazi i ka përndjekur, burgosur, internuar, grabitur tërë pasuritë e tyre të luajtshme dhe të paluajtshme deri tek spastrimi etnik e një gjenocid i pashoq në Evropë. Genocidi i përgjakshëm që ushtroi shteti grek ndaj çamëve myslimanë që i pashembullt. Nga dora gjakatare e tyre, e tërë Çamëria shqiptare u bë tym e flakë. Rreth 4500 viktima, mes gra e fëmijë, pleq e plaka, mbetën atje në trojet e tyre shekullore, duke e larë atë me gjak nga dora e shtetit kriminal grek.

Ajo ishte masakra e fundit e shtetit grek ndaj shqiptarëve, se fillesat e spastrimit etnik ndaj gjithë shqiptarëve myslimanë kanë qenë shumë më herët. Zanafilla e veprimeve të tilla është që pas konferencës famëkeqe të Londrës që në vitin 1913. Kjo konferencë ishte fatale për gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët, duke filluar nga Janina, Konica, Follorina, Kosturi e të tjera troje autoktone shqiptare.

Shteti grek nuk u mjaftua me këtë megaspastrim etnik ndaj shqiptarëve. Në vitin 1940, Parlamenti grek miratoi dekretin e Gjendjes së Luftës ndaj shtetit shqiptar, që ende sot e kësaj dite është në fuqi. Pra, çmenduria greke ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në veçanti, ndaj shqiptarëve të Çamërisë, nuk ka fund. Atëherë vetiu lind pyetja legjitime: Ku është reciprociteti, mbi bazën e të cilit mund të zhvillohen dhe ë ruhen marrëdhëniet e mira mes dy shteteve dhe dy popujve fqinjë? Për ne çamët, por edhe për gjithë shqiptarët, është i habitshëm fakti që shteti shqiptar nuk reagon seriozisht ndaj një qëndrimit dhe pretendimeve shoviniste greke. Deri kur do të vazhdojë kështu? Deri kur shteti shqiptar do të vazhdojë të plotësojë pretendimet e kërkesat e çmendura të shtetit grek? Deri kur do të vazhdojë të ulë kurrizin ndaj Athinës? Nëse Shqipëria dhe shqiptarët do ta varin fatin e tyre për t’u bërë pjesë e Evropës demokratike te Greqia, kurrë mos u bëfshim pjesë e kësaj Evrope.

Edhe dy fjalë për presidentin shqiptar.

Para një viti, presidenti grek, në kuadrin e festimeve të përvjetorit të pavarësisë së Greqisë në vitin 1821 (me ndihmën e arvanitasve dhe shqiptarëve të Sulit shqiptar), nga sheshi kryesor në qytetin e vendlindjes të të madhit Faik Konica, figurë shumë e shquar e kombit shqiptar, lëshoi edhe një mesazh drejtuar qeverisë shqiptare në formën e një ultimatumi, se me Greqinë duhet të heqë dorë përfundimisht nga shtruarja e problemeve të pazgjidhura mes dy shteteve, ‘çështjen çame’! Të njëjtën gjë bëri edhe gjatë vizitës në Beograd, në takimin me presidentin serb. Sigurisht që opinioni shqiptar, e në veçanti komuniteti çam, priste reagimin e qeverisë shqiptare e të presidentit shqiptar, por për çudinë e të gjithëve, asnjë reagim, asnjë fjalë, vetëm heshtje!

A i konsideron shteti shqiptar, de facto, 300 mijë çamët, nënshtetas të tij? A duhet detyrimisht të kontribuojë ky shtet në zgjidhjen e problemit të tyre? Sigurisht që e ka për detyrë. Në parlamentin shqiptar në vitin 2004 është miratuar një rezolutë që njihet si rezoluta për ‘problemin çam’. Pra, sipas kësaj rezolute, shteti shqiptar e ka njohur juridikisht këtë çështje, e cila qëndron dhe nga ana tjetër e obligon që të japë ndihmën e tij të gjithanshme për të çuar përfundimisht drejt zgjidhjes. Por cili ka qenë kontributi që ka dhënë qeveria shqiptare për gati 30 vjet, e në veçanti qeveria e sotme? Me plot gojën mund të thuhet zero.

Çështja Çame nuk është thjesht një çështje që i takon vetëm komunitetit çam, të dëmtuar si palë. Çështja Çame është pjesë e pandarë e Çështjes Kombëtare Shqiptare dhe që pret të zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Problemi çam nuk mund të zgjidhet pa ndihmën e shtetit shqiptar për arsye se ai është sa politik, aq edhe pasuror. Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Kryeministri Edi Rama e trumbetoi me të madhe se do të bënte të gjitha përpjekjet politike e ekzekutive për të ndihmuar këtë komunitet në zgjidhjen finale të problemit të tij. Ai deklaroi publikisht se për ecurinë e zgjidhjes së këtij problemi, njëherë në gjashtë muaj do të zhvillohej një seancë e posaçme në Kuvendin e Shqipërisë. Por sa gjashtëmujorë kanë kaluar që nga koha e premtimit të tij? Qoftë edhe njëherë të vetme, Çështja Çame nuk pati shansin të shtrohej për diskutim. Ky është pra kryeministri dhe qeveria e tij mashtruese.

Sinqeriteti, angazhimi, serioziteti, vullneti dhe ndjenja patriotike, në shërbim të qytetarëve e të kombit shqiptar, në veçanti te kjo qeveri e Ramës, kanë munguar totalisht.

Edhe diçka tjetër për presidentin shqiptar.

Si qytetar shqiptar dhe pjesëtar i komunitetit çam, gëzoj të drejtën morale t’ju pyes: Kujt duhet t’i shërbejë presidenti i Shqipërisë? Interesave të qytetarëve shqiptarë çamë, që kanë pësuar tragjedinë më të madhe të shekullit të 20-të apo interesave të tua personale dhe klanore? Na le pa frymë o legjenda e Malësisë së Skraparit, kur agjentit të Asfalisë greke i dhe atë që kurrë nuk e meritonte, nënshtetësinë shqiptare. Apo kur i dhe dekorimin një ambasadoreje antiçame në Shqipëri.

Lusim Zotin që kurrë të mos na vijnë në krye të Shqipërisë dhe shqiptarëve një president e një kryeministër si dy të lartpërmendurit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme