Vendosen trupa policorë të huaja në Shqipëri

16:17 | 4 Korrik 2019
Arbresh.info

Policia e Shtetit do të asistohet me rreth 100 efektivë të huaj nga vendet fqinje nga 1 korriku deri më 31 gusht. Për disa vite me radhë uniformat blu bashkëpunojnë me policitë e Italisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Çekisë, dhe qëllimi kryesor është ndihma dhe orienti për pushuesit e vendeve të huaj që zgjedhin Shqipërinë për të kaluar pushimet verore.

Për të rritur sigurinë e turistëve të huaj, cilët zgjedhin Shqipërinë për pushimet verore, Policia e Shtetit do të asistohet me 100 efektivë nga vendet fqinje nga 1 korriku deri më 31 gusht.

Janë përcaktuar edhe 7 zonat ku do të patrullojnë trupat policore të Italisë, Çekisë, Kosovës, dhe Malit të Zi. Policët e huaj do të asistohen nga ata vendas dhe do të jenë të dislokuar në Sarandë, Vlorë, Durrës, Pogradec, Shëngjin, Shkodër si edhe në zonën e malore të Thethit.

Numri më i madh i efektivëve të huaj i përket policisë së Kosovës dhe Malit të Zi. Marrëveshja e memorandumit u bë në kuadër të rritjes së ndjeshme të numrit të shtetasve nga Kosova, që vijnë për pushime në zonat turistike të Shqipërisë. Ky memorandum ka si qëllim parandalimin e shkeljeve administrative në fushën e trafikut rrugor, uljen e numrit të aksidenteve për përdoruesit e rrugës, që qarkullojnë në akset që lidhin dy vendet.

Gjatë shërbimit punonjësit e Policisë së Kosovës dhe Malit të Zi e kryejnë shërbimin me uniformë, makina të loguara dhe logjistikë sipas standardeve të Policisë së vendit fqinj. Ndryshe nga vitet e kaluara Policia e Shtetit nuk ka shpërndatë fletë-palosje. Për sigurinë e pushuesve, në pikat e kalimit kufitar, plazhe si edhe në zonat e thella turistike janë angazhuar rreth 1,100 forca policore, kryesisht të Qarkullimit Rrugor, FNSH, dhe efektivë shtesë të rendit.

Ndërkohë janë angazhuar edhe 170 automjete, motorrë si edhe biçikleta. Pranë zonave të mëdha turistike janë ngritur edhe 5 stacione provizore policore 3 në bregdet dhe 2 në zona malore. Për të monitoruar vijën bregdetare dhe për t’i ofruar ndihmën e parë pushueseve policia e shtetit ka angazhuar edhe 7 mjete lundruese./ABC News Albania

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme