Velipoja çel sezonin turistik, por ende nuk është gati

01:33 | 4 Maj 2017
Trina Galanxhi

Plazhi i Velipojës ka filluar të presë pushuesit e parë. Por në një vëzhgim të Ora News konstatohet lehtësisht se bregdeti i Velipojës nuk është gati për vizitorët, pasi sipërfaqja e rërës në një pjesë të madhe ka prezente mbetje të nxjerra nga deti.

Zyrtarisht e ka çelur sezonin turistik, por Velipoja ende nuk është plotësisht gati për të pritur pushuesit, ndonëse këta të fundit nuk mungojnë edhe këtë fillim maji. Sipërfaqja e rërës në një pjesë të madhe ka ende prezente mbetjet e nxjerra nga deti.

Pushuesit e parë janë nga Kosova, që prej disa vitesh i qëndrojnë besnik brigjeve të Adriatikut dhe plazhit më të madh në veri të vendit. Rëra kurative dhe ujërat e pastra janë ndikuese kryesore që ata zgjedhin Velipojën.

Vetë bashkia Shkodër pranon problematikat që ka këto ditë, por premton zgjidhje të shpejtë të tyre, si në aspektin e pastrimit, ashtu edhe menaxhimit të sipërfaqes së rërës.

14 kilometra vijë bregdetare dhe si një nga plazhet me ujin më të pastër në shkallë vendi, e bëjnë Velipojën një ndër zonat më të preferuara për turistët, numri i të cilëve në kulmin e sezonit shkon mbi 150 mijë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme