Veliaj: Tirana s’ka kohë për të humbur; është në rrugë të mbarë për të qenë kryeqendra e gjithë Ballkanit

13:19 | 26 Shkurt 2023
A Z

Në mesazhin e tij, për zhvillimin e turizmit në Tiranë në 8 vitet e fundit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Kryeqyteti është në rrugë të mbarë për të qenë jo vetëm kryeqendra e shqiptarisë, por edhe një qytet i denjë europian, në zemër të Ballkanit, dhe pika kryesore e gravitetit në të gjithë rajonin tonë.

Veliaj tha se viti 2022 ishte një vit historik me mbi 1000 aktivitete, kur Tirana ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë. “Organizuam evente të mëdha, siç ishte Sunny Hill Festival, koncertet e Dua Lipës, Rita Orës, Ermal Metës, aktivitete me sukses në javët e kulturës. Organizuam me sukses të plotë Samitin e BE-së, hera e parë që i gjithë lidershipi i Europës vinte në Ballkan dhe zgjodhi Tiranën. Unë jam i bindur se këtë histori suksesi të 2022-shit do ta përsërisim edhe këtë vit si Qyteti Europian i Sportit 2023, sepse nëse duam ta thërrasim këtë kryeqytet metropol duhet të bashkëpunojmë që të zhvillohemi si metropol,” u shpreh Veliaj.

Ai përmendi edhe disa nga projektet e tjera kulturore dhe artistike. “Bashkë me Qeverinë dhe Kryeministrin Rama duam të çojmë përpara disa projekte të rëndësishme, siç është Teatri i Ri, një teatër modern që edhe nga ana e arkitekturës do të ketë vizitorë, Muzeun e Artit Modern, që duam ta realizojmë te Bulevardi i Ri dhe Parkun e Liqenit të Farkës, që duam ta kthejmë në një mushkëri të dytë të Tiranës edhe për aktivitete sportive. Ne nuk kemi kohë për të humbur me gjuhën e zullumeve, konflikteve dhe stërkëmbëshave. Jemi këtu për të punuar dhe për të ecur së bashku përpara,” deklaroi kryebashkiaku.

Veliaj dha edhe një shembull që bën dallimin e thjeshtë mes Tiranës dje dhe Tiranës sot: “Dua t’ju ftoj të gjithëve në një reflektim, sidomos ata që si puna ime kanë lindur dhe janë rritur në Tiranë dhe e mbajnë mend edhe Tiranën e viteve ’80: Le ta krahasojmë për një çast atë 15-katëshin, – dikur ndërtesa më e lartë e Tiranës, krenaria e komunizmit, që kishte bërë 15 kate pallat, – me InterContinentalin që po ngrihet pas tij në pronë private. Duhet ta shohim si diferencën mes Tiranës së djeshme dhe së nesërmes. Tirana sot s’ka si të jetë si Tirana dje. Zhvillimi, zmadhimi, zgjerimi janë të pashmangshme. Nuk mund ta fusim në një shishe si relike të vogël, si ato anijet në miniaturë që shiten në tregjet për turistët e vendeve bregdetare,” u shpreh Veliaj.

Reklama më e mirë tha Veliaj që mund t’i bëjmë qytetit tonë është të flasim mirë për të, sepse duke folur mirë, do të kemi edhe më shumë turistë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme