Google ADS

Veliaj thirrje politikës: Mos u përfshini duke penguar çdo investim në Tiranë, zgjatimi i Lanës do transformojë qytetin

14:26 | 31 Korrik 2024
R J

Në prezantimin e projektit për rehabilitimin e Lumit të Lanës, nga Ura Teknologjike deri te kryqëzimi me Rr. “Teodor Keko”, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj kishte edhe një mesazh për opozitën, për të cilën solli në vëmendje se është bërë gjithmonë penguese e projekteve për zhvillimin e qytetit. Veliaj deklaroi me siguri se punët e mira do të vijojnë të bëhen në qytet, pavarësisht kundërshtimeve.

“Kam një thirrje për politikën: Mos u përfshini në këtë histori! Ndonjëherë, ndodh që i shikojmë investimet si një ububu e madhe. Por, duhet ta pranojmë se kjo ububu e madhe nuk vjen nga njerëzit e thjeshtë. Nuk ka njeri që nuk ka dalë një herë nga Shqipëria, që të shikojë se si është zhvilluar bota. Kjo problematikë ndodh sepse në investime përfshihet politika”, tha Veliaj.

Duke u ndalur te rasti i fundit në Këshillin Bashkiak, Veliaj tha se pavarësisht situatës së krijuar, vendimet do të merren, ashtu siç një prej tyre ishte miratimi i transferimit të godinës së Gjykatës së Lartë në fillim të Bulevardit të Ri. Ai shtoi se projekti parashikon edhe transferimin atje të godinës së shërbimeve të Bashkisë së Tiranës.

“Kur mendoj se në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, pavarësisht grushtit edhe sjelljes ordinere, që prodhojnë këto partiçka të mbetura në tentativë, “Bulevardi i Ri” është një shembull i jashtëzakonshëm suksesi. Pavarësisht se grushti banal errësoi vendimet e Këshillit Bashkiak, por një nga vendimet ishte transferimi i Gjykatës së Lartë në fillim të Bulevardit të Ri. Ndërkohë, projekti që ka ardhur nga kompania amerikane, dhe besoj është në fazë shqyrtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit, parashikon që në një nga ndërtesat, në një nga 3 kullat, të transferohet edhe godina e shërbimeve të bashkisë”, nënvizoi ai./abcnews.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme