Veliaj: Do të ndahen zonat rezidenciale nga ato të argëtimit

13:08 | 5 Shkurt 2018
Arbresh.info

Bashkia e Tiranës paralajmëron disiplinimin e zhurmës nga lokalet, duke ndarë zonat rezidenciale nga ato të argëtimit. Ka qenë vetë kreu i bashkisë Erion Veliaj që ka bërë të ditur lajmin, gjatë nisjes së zbatimit të marrëveshjes me ministrinë e Brendshme, “Për formimin dhe kualifikimin e punonjësve të Policisë Bashkiake”.

“E njëjta gjë ndodh jo vetëm me zaptimet e rrugëve, por edhe me muzikën e lartë. Ka ardhur koha që në Tiranë të kemi një diferencim shumë të qartë, ku janë vendet ku t’i mund të bësh aheng dhe ku është një vend tjetër ku fëmijët duhet të shkojnë të flenë sepse vjen e nesërmja për të shkuar në shkollë dhe familja duhet të ketë një paqe qoftë edhe akustike përpara se të përgatitet për ditën e re. Kemi filluar një proces me Ministrinë e Mjedisit, nën drejtimin e kryeministrit, për t’u siguruar që në qytetet tona edhe këto hapësira të sistemohen, duke i ndarë zonat rezidenciale nga zonat që janë për argëtim”, nënvizoi Veliaj.

Ai tha se Tirana është një nga kryeqytetet më të sigurta në Europë, fakt që konfirmohet edhe nga statistikat.

“Sa herë që flitet për çështje të rendit, qoftë nga Policia e Shtetit, qoftë nga Policia Bashkiake, kori i cinikëve, skeptikëve dhe ironikëve nuk ngurron asnjëherë të përbaltin punën e uniformave të shtetit. Ishte një krenari shumë e madhe teksa pashë se si Agjencia Europiane ‘Numbeo’, që bën një indeksim të të gjithë statistikave evropiane, e nxirrte Tiranën si një nga qytetet më të sigurta sot në Europë”, tha ai, teksa bëri të ditur se nëse tre vite më parë Policia Bashkiake kryente 7 ndërhyrje në ditë, tashmë ato kanë shkuar në 700, kurse telefonatat nga 10 në ditë, sot janë mbi 100 duke e çuar në vit në 36 mijë telefonata.

Ndërkaq ai tha se nuk do të tolerohet askush për vjedhjen e ujit të pijshëm.

“Dua t’ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, por sidomos atyre që janë biznesmenë dhe që përdorin ujin e pijshëm për të fituar para. Paguajeni sepse nuk do të tolerohet më. Kanë filluar arrestimet e para të atyre sipërmarrësve që vetë bëhen milionerë kur e lënë Tiranën pa ujë. Deri në datën 28 shkurt, çdo qytetar ftohet të shkojë dhe të lidhë kontratën me UKT, jo vetëm në Tiranë, por në 61 bashkikë e Shqipërisë. Kam parë skema të dërguara nga Policia e Shtetit dhe Policia bashkiake të vjedhjeve spektakolare të ujit”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë bëri të ditur se deri më 28 shkurt do të vijojë fushata sensibilizuese për konsumatorët familjarë që të paraqiten pranë pikave të hapura të Ujësjellës Kanalizimeve për të formalizuar lidhjet e tyre.

Bashkia e Tiranës është ndërkohë në mes të një fushate të jashtëzakonshme që ka të bëjë me disiplinimin e një produkti jetik sikurse është uji. Në të gjithë kryeqytetin po kryhen verifikime për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme me fokus tek bizneset./Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme