Banorët e Saukut dhe Farkës mund të udhëtojnë drejt Tiranës, deri te ish Stacioni i Trenit, me një linjë të re, e cila përshkon një distancë më të madhe, por me më pak para.
Bashkia e Tiranës ka vënë në punë linjën e re të transportit urban, që lidh zgjatet nga ish Stacioni i Trenit deri në Farkë, ndryshe nga më parë kur kjo linjë përfundonte në Sauk. Shërbimi në linjën e re u inspektua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se zgjatimi i saj plotëson një kërkesë të hershme të banorëve të periferisë, por edhe të qytetarëve të tjerë që duan të vizitojnë këtë zonë.
“Jam shumë i lumtur që mbajmë një premtim tjetër për qytetarët. Kjo ka qenë një linjë jashtëzakonisht e kërkuar sepse lidh një zonë të re të Tiranës, e zhvilluar rishtazi, me shumë banorë, që mbulon një pjesë të madhe të hapësirës universitare pranë Qytetit Studenti, me qendrën e qytetit. Kjo tani është dyfishuar duke vajtur deri te ish Stacioni i Trenit”, tha Veliaj.
Ai theksoi se ashtu si edhe në shumë linja të tjera të riorganizuara, edhe me këtë linjë qytetarët do mund të udhëtojnë për një distancë më të gjatë, duke paguar vetëm një biletë dhe me një abone.
“Pra, me një biletë të vetme, ata qytetarë që duhet të zbrisnin në qendër dhe të ndërronin autobus për të marrë një tjetër, për të shkuar në pjesën tjetër të Tiranës, sot e bëjnë vetëm me një biletë, me një abone të unifikuar, dhe fatmirësisht me 30% më shumë mjete në shërbim. Duke shtuar mjetet është shtuar edhe përdorimi dhe rezulton që të gjithë qytetarët janë të kënaqur nga sistemimi i kësaj linje”, shtoi Veliaj.
Ai nënvizoi se veç zonave urbane, shumë shpejt Bashkia e Tiranës do të propozojë zgjidhje konkrete për rregulimin e linjave të zonave rurale. Sipas tij, qytetarët do të marrin të njëjtin shërbim me të njëjtin cilësi, pavarësisht nëse jetojnë në qytet apo në periferi. “Shumë shpejt do të bëjmë disa propozime konkrete për rehabilitimin e linjave në periferi, po na rezulton se ish-komunat, duke aplikuar çmime stratosferike, kanë lejuar në kurriz të qytetarëve një shërbim urban që le për të dëshiruar, si nga cilësia, si nga shërbimi, sigurisht edhe nga çmimi. Tani që u sistemua edhe linja nga Farka, Senatoriumi, Sauku, deri te ish Stacioni i Trenit, do të fokusohemi te linjat e zonave rurale si Baldushku, Krraba, Bërzhita dhe Petrela, sepse besojmë që qytetarët e Tiranës duhet të përfitojnë të njëjtin shërbim, siç po e përfiton Tirana urbane këto ditë me rehabilitimin e linjave të reja”, u shpreh kryebashkiaku.
Falë riorganizimit të linjave urbane në Tiranë, linja e vjetër Qendër-Sauk tashmë përshkon itinerarin: Ish Stacioni i Trenit – Qendër – Sauk i Ri – Sauk i Vjetër – Sanatorium – Farkë. Pra, linja ka pësuar një dyfishim në distancë dhe qytetarët mund të përdorin edhe abone. Për të përballuar fluksin që mund të sjellë zgjatja e linjës, linjës i janë shtuar edhe 5 autobusë, duke e çuar në 17 numrin e përgjithshëm të mjeteve që operojnë në këtë linjë.
VV-ja të dielën mban tubimin festiv të fundvitit
Përleshje në Aeroportin “Adem Jashari”, arrestoh...
Sulm me mjet të mprehtë në Klinë, arrestohet i dyshuari
Policia shqiptoi 1 mijë e 445 gjoba brenda 24 orëve
Kosova çdo ditë importon rreth 4 milionë euro rrymë
Britani/ Paralajmërohen anulime dhe vonesa në fluturime, shk...