Veliaj: Po dezinfektojmë autobusët; konviktet mbyllen deri në 3 prill, reduktojmë orët e punës për punonjësit e bashkisë që kanë fëmijë të vegjël

18:30 | 9 Mars 2020
Arbresh.info

Bashkia e Tiranës ka marrë një sërë masash për përballimin dhe ndalimin e përhapjes së Coronavirusit në kryeqytet. Në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave të Bashkisë së Tiranës, ku u diskutua për masat e marra për situatën në Tiranë, Veliaj prezantoi një sërë vendimesh të rëndësishme, duke filluar nga shkollat, transporti publik etj. Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm me higjienën, ndërsa lajmëroi se krahas çerdheve dhe kopshteve, ka nisur edhe dezinfektimi i autobusëve urbanë.

“Kemi filluar të marrim disa masa sa i takon edhe transportit publik. Po dezinfektojmë rrugët dhe autobusët, megjithatë më lejoni të sqaroj diçka: Njeriun nuk e infekton as rruga, as autobusi, por njeriu infekton njeriun. Këshilla që dha sot kryeministri për higjienë personale është ABC-ja e rezistencës ndaj kësaj sfide që na ka ardhur në Tiranë. Ne po bëjmë dezinfektimin e rrugëve, e autobusëve, po një këshillë që vlen për të gjithë është ose të ecim, ose të përdorim biçikletën”, tha ai.

Duke u ndalur tek konviktet, Veliaj lajmëroi pezullimin e përkohshëm të konvikteve gjer në rifillimin e mësimit. “Ka lindur nevoja që të shpjegoj një rregull që vlen si për shkollat, kopshtet e çerdhet, po ashtu edhe për konviktet. U kërkoj drejtoreshave të konvikteve që të komunikojnë se konviktet nuk do të funksionojnë. Pra, do të aplikojnë udhëzimin e qeverisë dhe urdhrin e Bashkisë së Tiranës për t’i mbyllur deri në datën 3 prill”, deklaroi ai.

Kreu i Bashkisë u shpreh se masa të forta do të merren edhe për celebrimet, ku përveç çiftit dhe dëshmitarëve të nevojshëm që kërkon ligji, nuk do të lejohen të tjerët. Ai bëri të ditur se në bashkëpunim dhe me komunitetet fetare do të ketë masa edhe për shërbesat. Lidhur me ceremonitë mortore, Veliaj kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për kufizime, veçanërisht të ritit të dhënies së dorës. “Ka disa aktivitete që tipikisht menaxhohen nga Bashkia e Tiranës siç janë shërbimet funerale. Ka disa tradita shumë të mira shqiptare që ne shkojmë, bëjmë për njëri-tjetrin. Duke qenë se jemi në një situatë emergjente, duhet të shmangim zakonet e dhënies së dorës në tubime të mëdha, kur ngushëllojmë dikë, do të gjejmë mënyra të tjera për të shprehur keqardhjen. Do të duhet që në çdo shërbim funeral, si në Sharrë, edhe në Tufinë, të këshillojmë familjarët që ky nuk është momenti për të bërë ritualin e dhënies së dorës”, sqaroi Veliaj.

Bashkia e Tiranës do të kufizojë numrin e punonjësve që do të jenë në shërbim me qëllim parandalimin e përhapjes së Coronavirusit. Veliaj shpjegoi edhe kategoritë e punonjësve të Bashkisë që do të marrin leje. “Do të bëjmë një kufizim të punonjësve të Bashkisë së Tiranës, sidomos të stafeve që janë mbi 60 vjeç, të cilët fare mirë mund të marrin disa ditë pushim ose ndërprerje të ardhjes në zyrë sepse janë kryesisht moshat e mëdha ato që preken më shumë, ndërkohë që stafet e Bashkisë së Tiranës që janë në mënyrë të vazhdueshme të ekspozuara ndaj palëve të tjera. Do kërkoja t’u japim leje deri në datën 3 prill”, tha Veliaj.

Si pasojë e ndërprerjes së çerdheve dhe kopshteve, do të ketë lehtësira edhe për ata prindër që kanë fëmijë të vegjël. “Një nga pyetjet që na ka ardhur sot nga qytetarët ka të bëjë me prindërit që kanë fëmijë në kopshte e çerdhe. Porosia ime për Burimet Njerëzore të Bashkisë së Tiranës është që secila drejtori të dakordësojë me stafin e vet; kush duhet të firmosë shkresa në protokoll, mund të vijë një orë në mënyrë që të mos pengojmë rrjedhën e punëve të qytetit, kurse të tjerët mund të bëjnë punë nga shtëpia nëpërmjet kompjuterit. Sigurisht, kam parasysh në mënyrë të posaçme nënat që kanë fëmijë në kopshte e shkolla, çerdhe, pra që janë më të prekura nga kjo situatë”, sqaroi kreu i Bashkisë, teksa i theksoi se shëndeti është mbi gjithçka.

“Sot është koha për t’u kujdesur për shëndetin dhe sidomos për fëmijët që do qëndrojnë në shtëpi prej ndërprerjes së procesit mësimor do të doja që Bashkia e Tiranës të ishte e para që vendos këtë etalon, për të liruar sidomos nënat dhe stafin jo esencial që të jenë pranë fëmijëve, duke ardhur 1-2 orë në ditë, për ato që janë le të themi firma të nevojshme apo procedura që Bashkia e Tiranës i ka jetike për avancimin e punës”, sqaroi Veliaj. Ai kërkoi mirëkuptimin edhe të bizneseve për të marrë një masë të tillë.

Në kuadër të planit të masave për përballimin e situatës me Coronavirusin, kryebashkiaku Veliaj tha se ka nisur dezinfektimi në institucionet parashkollore. “Do të vazhdojmë me dezinfektimin; kur qeveria të njoftojë hapjen e tyre, do të jemi në një gatishmëri maksimale për të bërë një dezinfektim tjetër edhe para hapjes së tyre”, tha ai.

Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të reduktuar disa shërbime tek zyrat e Pritjes me Qytetarët, të cilat mund t’i marrin online ose përmes një telefonate pa pagesë në numrin 0800 0888. “Nëse ka një shqetësim, si ato që vijnë tipikisht në Bashkinë e Tiranës, një lokal që bën zhurmë poshtë pallatit, nuk ka arsye të vish tek zyra e pritjes me qytetarët. Mjafton të na njoftosh, do ia referojmë policisë. Ne duam t’i reduktojmë këto shërbime, kryesisht online ose me telefon. Vijmë ne tek njerëzit, nuk ka nevojë që dikush të vijë dhe të ekspozohet me qindra të tjerë në sallën e Pritjes me qytetarët, ndaj dua t’i theksoj faktit që kemi nr tel 0800-0888, hapur për çdo thirrje”, u shpreh Veliaj.

Gjatë fjalës së tij kreu i Bashkisë së Tiranë do ketë penalizime dhe gjoba për të gjithë pronarët e marketeve që rrisin çmimet e produkteve të tyre. “Do jeni të pamëshirshëm me gjoba dhe procedim penal për këdo pronar biznesesh, supermarkete dyqane ushqimore që abuzojnë me çmimet. Nuk do tolerojmë më një qytet hienash, rrëzohemi bashkë, por bashkë do ngrihemi“, tha Veliaj.

Kryebashkiaku lajmëroi edhe anulimin e të gjitha grumbullimeve masive, kulturore, sportive, tubime, koncerte, aktivitete, dëgjesa publike deri në datën 3 prill. Kjo përfshin gjithë aktivitetet e Ditës së Verës, koncertin e këngëtarit Maluma, i cili do të zhvillohet në muajin Qershor, dhe aktivitetet e 100 vjetorit të Tiranës Kryeqytet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme