Kandidati i koalicionit të majtë Erion Veliaj ka rikonfirmuar edhe njëherë se shqiptarët më 30 qershor do të shkojnë drejt kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e bashkive për katër vitet e ardhshme.
Në një lidhje direkte me Euronews, Veliaj theksoi se tashmë data e zgjedhjeve nuk është në duart e kryeministrit, por e vendosur nga Kushtetuta, e cila thote se zgjedhjet duhet të zhvillohen çdo katër vite.
Kandidati socialist thekson se Bashkimi Europian dhe SHBA-të janë shprehur qartë se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor, duke mbështetur demokracinë në Shqipëri. Veliaj nënvizon se qëndrimi i opozitës për të mos u futur në zgjedhje lidhet me frikën e liderëve të saj të korruptuar nga reforma në drejtësi, që mbështetet fuqimisht nga SHBA-të dhe BE. Ai thotë se kjo reformë që po ndërmerr Shqipëria do të prekë disa njerëz, por theksoi Veliaj, shumica e qytetarëve shqiptarë duan të largohen nga influenca ruse që po sponsorizon këto protesta të opozitës.
Gazetarja: Mirëmëngjes! Le të shpjegojmë pak pse Kryeministri është kaq i vendosur për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve?
Veliaj: Nuk mendoj se kjo është në duart e Kryeministrit, por Kushtetuta ka vendosur që zgjedhjet të zhvillohen çdo katër vjet. Ne jemi një vend demokratik, nuk mund t’i ndryshojmë rregullat, demokracia është një “sport” me pjesëmarrje. Pra, nëse Kushtetuta thotë se duhet t’i zhvillojmë zgjedhjet çdo katër vjet, atëherë as Presidenti, e as ndonjë institucion tjetër, nuk e ka autoritetin të thotë që ato të zhvillohen çdo 5, 7 apo 9 vite. Mendoj se Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës folën shumë qartë ditën e djeshme, ata e mbështesin demokracinë në Shqipëri, data 30 qershor është dita e zgjedhjeve dhe ne duhet të kemi zgjedhje.
Unë si kryetar bashkie nuk mund të qëndroj në zyrë më shumë se 4 vjet dhe rregullat e lojës nuk mund të injorohen në asnjë demokraci. Pra, kam një mandat, i cili përfundon më 30 qershor, dhe duhet të shkojmë për rikonformim. Në zgjedhje marrin pjesë 44 parti politike, vetëm disa nuk marrin pjesë, dhe unë mendoj se shqetësimi kryesor i tyre është reforma në drejtësi, që SHBA-të dhe BE po sponsorizojnë në Shqipëri, e cila po ecën përpara me largimin e gjyqtarëve të korruptuar, duke ndryshuar mënyrën se si funksionon sistemi i drejtësisë, i cili nuk duhet të jetë si ankand për atë që paguan më shumë, por duhet të jetë një garë se kush ka të drejtë. Unë mendoj se reforma në drejtësi dhe fakti se disa liderëve të korruptuar të opozitës iu janë hequr vizat nga SHBA-të, apo kufizime të tjera që iu janë vendosur, janë arsyeja e kësaj situate.
Gazetarja: A jeni të shqetësuar se kjo mungesë stabiliteti mund të ndikojë në përpjekjet tuaja për t’iu bashkuar BE-së?
Veliaj: Mendoj se do të kemi më shumë impakt nëse ecim përpara me zgjedhjet, nëse vendosim se shteti i së drejtës nuk është diçka me të cilën mund të luajmë sipas oreksit të politikës. Mendoj se vendimi ynë për të respektuar Kushtetutën, për të respektuar gjykatat, për të respektuar publikun, të cilit i detyrohemi një shpjegim, i detyrohemi një garë në ditën e zgjedhjeve, është mënyra më e mirë për të respektuar ambicien tonë europiane. Ne vijmë nga një kohë kur në këtë vend nuk lejoheshin zgjedhjet, vijmë nga një kohë kur Shqipëria, Tirana, ky kryeqytet ishte si Korea e Veriut, si Pjong Jangu i Europës. Pra, mendoj se e kemi lënë pas këtë të shkuar për të ardhmen ku duhet të garojmë çdo 4 vite. Nëse Presidenti, i cili është gjithashtu bashkëshorti i njërës prej liderëve të opozitës, thotë se një pjesë e familjes së tij nuk është gati të marrë pjesë në zgjedhje, në sondazhe dalin shumë keq dhe kundërshtojnë reformat e mbështetura nga BE dhe SHBA, mund të na bashkohen kur të jenë gati, por ne s’mund t’u themi qytetarëve të shkojnë në shtëpi, derisa politikanët të bëhen gati.
Zgjedhjet bëhen që njerëzit të zgjedhin politikanët, jo politikanët të zgjedhin njerëzit. Prandaj, duhet të respektojmë datën dhe të mbështesim aleatët tanë më të mirë, të cilët kanë identifikuar datën 30 qershor si ditën e zgjedhjeve.
Gazetarja: Meqë po flasim për politikanët, çfarë duhet të ndodhë që opozita të futet në zgjedhje dhe të marrë pjesë në proces?
Veliaj: Kryeministri ka bërë shtatë përpjekje duke i dërguar letra të hapura liderit të opozitës, me ftesën për t’u ulur në tavolinë. Unë e di që ata janë të mërzitur me reformën në drejtësi dhe e di çfarë? Kanë të drejtë sepse në 30 vitet e fundit kanë vendosur gjyqtarë, të cilët nuk e shpjegojnë dot pse një Maserati, pse një Bugatti apo Lamborghini, shfaqet në derën e shtëpisë së tyre kur kanë më pak se 1 mijë euro në muaj të ardhura. E di që kjo të dhemb, por e di çfarë? Kjo duhet të ndryshojë, nuk mund ta mbajmë këtë vend peng me gjyqtarë të korruptuar ose politikanë, të cilët kanë luajtur me ligjet, me Kushtetutën, me gjykatat për 30 vitet e fundit. Unë kam jetuar jashtë vendit, kam ardhur këtu të rris djalin tim, u ktheva si activist, si protestues, drejtoj një qytet të progresist, po punojmë që të jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë në vitin 2022, prandaj besoj se duhet të mendojmë për të ardhmen, jo për të mbajtur mbi supe poltikanë nga e shkuara. Në qoftë se disa njerëz po humbin të mirat e tyre, nëse disa njerëz po ballafaqohen me transparencën, nëse gjyqtarët e rinj po i nxjerrin ata para drejtësisë, dhe nuk ka rëndësi nëse janë ministra ose kanë emër të madh në politikë, mendoj se këto flasin shumë për tranzicionin e dhimbshëm që po kalojmë, disa njerëzve u dhemb kjo, por mendoj se shumica e njerëzve duan të largohen nga ndikimi rus që po sponsorizon këto protesta./BW
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...
Arb Manaj, futbollisti më i mirë i muajit dhjetor tek Drita
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...