Veliaj: Pas Kombinatit, do të marrim vendim edhe për pallatet në Kinostudio

13:18 | 24 Korrik 2020
A. B.

Kryebashkiaku i Tiranës i dorëzoi çelësin e shtëpisë së familjes së 81-vjeçares, Sulltane Ramaliu në Njësinë 3, banesa e së cilës u ndërtua nga tërmeti.

“Jam shumë i lumtur që zgjidhëm një hall jo të vogël për nënë Sulltanen, hallin e shtëpisë. Nga sot kjo familje do të jetojë në një shtëpi më dinjitoze dhe unë besoj fort te një qytet që ecën me të njëjtin ritëm, e jo disa më shpejt, e disa të tjerë që mbeten pas, herë prej fatkeqësive natyrore, herë prej tragjedive njerëzore. Qyteti ynë duhet të ecë me një shpejtësi”, tha ai.

Veliaj shtoi se dhënia e pagesave të tërmetit dhe marrja e vendimeve për rindërtimin e banesave të reja do të vazhdojë për të 27 njësitë e Tiranës. Ai theksoi se shumë shpejt do të nisë shqyrtimi i vendimeve për rindërtimet në zonën e Kinostudios dhe të disa pallateve të tjerë të dëmtuar në kryeqytet.

“Mezi pres që vendimet që morëm për Kombinatin të pasohen nga vendimet për Kinostudion. Sigurisht, këto janë projekte që duan më shumë kohë. Kemi parë raste kur problematika të dukurive natyrore nuk janë zgjidhur prej vitesh, siç është rasti i përmbytjeve në Shkodër, kur qeveritë e mëparshme nuk i dhanë as për 10 vjet. Por, kemi shembullin se për 10 muaj kemi filluar pagesat e tërmetit të nëntorit, ndërkohë që kemi mbyllur pagesat për tërmetin e shtatorit. Për sa kohë që do të vazhdojmë me këtë frymë të mirë, do jetë vetëm çështje kohe sa t’i zgjidhim të gjitha këto halle. Për banorët që kanë marrë dëmshpërblimet për dëmet e kategorisë së parë, të dytë dhe të tretë, janë provë konkrete se askush nuk po rri, por letrat duhen bërë siç duhet”, tha ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme