Google ADS

Veliaj mesazh para zgjedhjeve: Të votojmë për Tiranën që duam

11:57 | 26 Qershor 2019
Arbresh.info

Kur kanë mbetur më pak se 4 ditë nga data e zgjedhjeve, kandidati i koalicionit të majtë Erion Veliaj i është drejtuar me një videomesazh qytetarëve duke i ftuar që më 30 qershor të marrin pjesë në votime.

Teksa rendit një sërë investimesh që kanë transformuar kryeqytetin, Veliaj thekson se 30 qershori është një mundësi fantastike për t’u shprehur se si e duam Tiranën tonë.

“Në 30 qershor, ne kemi një mundësi fantastike të shprehemi se si e duam Tiranën tonë. Në këto 4 vite, bashkë kemi bërë punë të mrekullueshme, duke filluar nga Sheshi, nga Pazari, nga Liqeni, nga Bulevardi, shkollat, kopshtet, çerdhet. Unë kam vetëm një plan, të rri dhe të jetoj në Tiranë dhe teksa shoh djalin tim që rritet në këtë qytet, mendoj për gjithë fëmijët tanë, se çfarë mund të bëjmë më shumë në 4 vitet që vijnë, si mund të ecim më shpejt, e si mund të vazhdojmë përpara në rrugën që kemi nisur”, tha Veliaj.

Kandidati socialist u shpreh se kur të gjithë janë bashkë, asnjë minorancë e dhunshme apo e zhurmshme nuk do të mund të na bëjë ballë. “Ne kemi treguar se kur jemi bashkë, nuk ka asnjë minorancë të dhunshme apo të zhurmshme që të na bëjë ballë, dhe ky qytet nuk e ka ulur kurrë kokën, ndaj s’do ta ulim kokën as kësaj here. Kështu që, në datën 30 qershor, unë do të jem aty me familjen time dhe do të pres ty me familjen tënde, që të votojmë për Tiranën që duam edhe për Shqipërinë që duam”, shkruan Veliaj./BW

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme