Veliaj e pranon hapur: Një pjesë e afganëve mund të qëndrojnë përfundimisht në Shqipëri

00:41 | 18 Gusht 2021
Trina Galanxhi

Kur kryeministri Edi Rama njoftoi se e kishte pranuar kërkesën e SHBA për të strehuar përkthyesit afganë të rrezikuar nga talebanët nënvizoi se bëhej fjalë për një gjë “të përkohshme”.

Këtë version kanë mbajtur më pas edhe ministrat e Ramës që kanë folur për këtë çështje. Por në një seri televizive, nga një ekran në tjetrin, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka dhënë një tjetër version.

Në një prononcim në Klan News, Veliaj tha hapur se një pjesë e afganëve edhe mund të qëndrojnë përfundimisht në vendin tonë.

“Ajo që di të them është se nëse periudha është afatgjatë, disa prej tyre mund edhe të na ndihmojnë me organizimin, me pastrimin, me aktivitet sociale për fëmijët.

Unë nuk do e përjashtoja mundësinë që të rinj dhe të reja afgane që duan të rrinë më gjatë në Shqipëri, ose në fakt duan të rrinë përfundimisht në Shqipëri dhe janë të aftë mund të na ndihmonin për Tiranën “Kryeqytet të Rinisë” dhe për të treguar që sot jemi një qytet kozmopolitan” – tha Veliaj.

Në fakt, kjo deklaratë e Veliajt zbulon edhe arsyen se përse SHBA nuk i transferoi këta njerëz menjëherë nga Afganistani në vendin e saj.

Ata do të intervistohen dhe kalojnë në filtra dhe nëse nuk i përmbushin kushtet do të mbeten në Shqipëri pasi në vendin e tyre është e pamundur që të kthehen mbrapsht.
Veliaj sapo e shtroi terrenin edhe për këtë mundësi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme