Google ADS

Veliaj e akuzon për leje ndërtimi, reagon Tabaku

21:50 | 21 Dhjetor 2018
Trina Galanxhi

Në njoftimin e dhënë nga Bashkia, thuhej, se jo vetëm Lulzim Basha i ka dhënë vetes me firmën e tij një leje për ndërtimin e një kati të 13-të në pallatin ku banon, duke shtuar 4 dhoma e madje pa paguar as taksën e ndërtimit në infrastrukturë, por edhe ish-nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku.

“Por ndryshe nga shefi i saj, Tabaku ka qenë pak më e rafinuar në këtë drejtim, pasi lejen e ndërtimit nuk ja ka dhënë direkt vetes së saj, por gjyshes. Lajmin e ka dhënë kryebashkiaku Erion Veliaj sot gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, ku duke iu referuar dokumenteve theksoi se në Bashkinë e Tiranës kjo njihet si leja e Jorida Tabakut”, janë akuzat e Bashkisë Tiranë.

Jorida Tabaku ka reaguar ndaj këtyre akuzave, duke thënë që gjyshja e saj ka 20 vjet që ka vdekur dhe nuk ka marrë asnjë leje ndërtimi.

Deklarata e Jorida Tabakut
Skandali Bego dhe aferat me qarqet kriminale dhe te drogës e kanë zënë ngushte Veliajn që ka humbur qartësinë dhe në propagandën e tij mashtruese. Nuk dua as une të tërheq vëmendjen nga keto afera por thjesht shkurt po shkruaj disa fakte:

– Dua të sqaroj se në atë pronë as gjyshi i ndjerë as gjyshja ime e ndjerë që ka 20 vite që nuk jeton më, as im atë dhe as unë nuk jemi pronarë.

– Në funksionin e nënkryetares së bashkisë unë nuk kam pasur në portofol dhënien e lejeve të ndërtimit dhe as nuk kam dhënë leje ndërtimi, as për familjen time dhe as për qytetarët e tjerë.

– Ndërtimi për të cilin Veliaj akuzon, e ka marrë lejen e ndërtimit në vitin janar 2014 ndërsa unë kam qenë deputete dhe jo nënkryetare bashkie.

Së katërti, gjatë gjithë jetës sime si politikane kam deklaruar ekzaktësisht pa u akuzuar nga askush për pasurinë time që nga viti 2009 e deri më sot. Dasma ime nuk ka qenë dhuratë e time mëje e paguar me kursimet e saj për tu kremtuar me madhështi në kalanë e Gjirokastrës. Shtëpia ime nuk kushton miliona si ajo e Kodrës së Diellit ku jeton Veliaj, as nuk është ndërtuar me paratë që nuk dihet mirë ku janë mbledhur.

Gjatë gjithë jetës sime politike nuk jam përmendur kurrë për fonde të vjedhura OJQ-sh, tendera të majmë shtetërorë apo emaile të gënjeshtërta të dërguara në adresat e komunitetit ndërkombëtar siç ishte rasti Griseldës së Kavajës dhe mikut të Erjon Veliajt, ish-kolegut kryebashkiak Elvis Ervin Roshi.

E ndjeva të nevojshme dhe detyrë karshi qytetarëve të Tiranës për t’u distancuar nga akuzat e ulëta të lëshuara nga një kryetar që premtoi 0 kulla por do të mbahet mend gjatë si njeriu që prishi çdo godinë historike në qytet dhe që rrezikoi bashkë me padronin e tij vetë ndërtesën e Teatrit Kombëtar me synimin më të ulët të mundshëm: ngritjen deri në qiell të kullave të korrupsionit.

Mashtruesve të tillë që jetojnë duke shpifur për të mbijetuar politikisht do t’i përgjigjem me një padi për shpifje. Paratë që do të kërkoj në gjyqin për shpifje do t’ia kalojë në llogari familjes së të ndjerit Ardit Gjoklaj që është viktima e qeverisjes së Tiranës nga kryebashkiaku Veliaj. Fatkeqësi për një ish-shok shkolle që mashtrues ishte e mashtrues mbeti!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme