Google ADS

Veliaj: Do vazhdojmë ndërtimin e 17 shkollave të reja

17:31 | 8 Prill 2019
Arbresh.info

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj mori pjese në takimin “Dita e qyteteve”, që u organizua nga OKB në Gjenevë. Kryebashkiaku u shpreh se do te vijojë me ndërtimin e 17 shkollave të reja. Ndërsa protestat e studentëve dhe pedagogëve në Universitetin Bujqësor të Kamzës, i cilësoi të nxitura politikisht.

Tirana sipas zyrës së shtypit të bashkisë është përzgjedhur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si një nga qytet që ka bërë më shumë për zgjidhjen e çështjes së mbi-ngarkesës në çerdhe, kopshte dhe shkolla.

Praktikat me të mira të planifikimit për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve u diskutuan në takimin “Dita e qyteteve” që u organizua nga Komisioni Ekonomik i Kombeve te Bashkuara për Evropën me seli në Gjenevë.

I pranishëm ishte dhe kryebashkiaku Erion Veliaj ku theksoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur që t’i shkojë deri në fund realizimit të projektit të 17 shkollave.

“Jam më i vendosur se kurrë që të vijojmë me projektin e 17 shkollave. Unë i di të gjitha forcat që janë ngritur kundër, me histeri, janë të njëjtat forca që u ngritën edhe kundër këndit të lojërave, sheshit “Skënderbej”, i cili pret një çmim tjetër, edhe kundër Pazarit të Ri. Megjithatë, dua t’i kujtoj kujtdo që ngrihet kundër shkollës shqipe, se historia e Shqipërisë ka një vend shumë të errët për ata që ngrenë dorë kundër shkollës shqipe. Sot, të gjesh justifikime, për sa kohë që bashkia shpronëson një privat dhe bën një shkollë, të sajosh histori dhe alibi, do të thotë të rezervosh vendin më të errët në historinë e Shqipërisë, kur ajo të shkruhet pas disa vitesh. Historia e Shqipërisë ka treguar se kush ka luftuar për shkollën dhe arsimin shqip, ka bërë investimin më të madh për vendin e tij”.

Kryebashkiaku iu referua protestave të studentëve dhe pedagogëve të Universitetit Bujqësor në Kamëz të cilët kundërshtojnë projektin e shkollës së re dhe i cilësoi ato të nxitura politikisht.

“Kodër-Kamza sot ka rreth 30 mijë banorë. Kemi dy mundësi: ose ta shohim Kodër-Kamzën si kontingjent për protestë dhe dhunë, siç bëjnë disa parti për interes të tyre apo të politikanëve që fëmijët e tyre i çojnë në shkolla jashtë shtetit, ose të themi se ka ardhur koha që edhe ai komunitet të ketë një shkollë cilësore, po aq cilësore sa shkolla “Kosova”, që djemtë dhe vajzat aty të mos jenë kontingjent dhune, por kontingjent talenti, pasioni dhe pune, që vjen vetëm nëpërmjet djersës së tyre”.

Çdo fëmijë tha kryebashkiaku ka të drejtën të arsimohet dhe edukohet njësoj në gjithë territorin e Tiranës, ndërsa theksoi se bashkia do të vijojë konsultimet me të gjitha grupet e interesit kudo që do ndërtohen shkolla të reja./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme