Veliaj: Do të largohen nga rrugët e Tiranës të gjitha mjetet e braktisura

18:36 | 30 Maj 2024
E.H

Të gjitha automjetet e braktisura nga pronarët e tyre apo ato të cilat janë të bllokuara për efekt hetimi, do të largohen nga rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë.

Lajmin e dha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili deklaroi në mbledhjen e kësaj të enjte të Këshillit Bashkiak vendimin për të pastruar rrugicat e Tiranës nga këto mjete.

“Makinat e aksidentuara, për efekt hetimi, duhet të ruhen disa muaj. Disa mund të kenë edhe vite, në varësi si kanë shkuar ato gjyqe. Momentalisht komisariatet nuk i mbajnë dot, ka një mbingarkesë aty dhe parkohen në Kinostudio, buzë “Marubit”, që sa herë që ka një festival filmi, apo qoftë dhe kalimi i autobusëve dhe i mjeteve, duket si një zonë lufte. Bëhet fjalë për të hequr nga Tirana edhe ato makina që mund t’iu jetë bërë pluhuri nga 3 gisht dhe nuk i del njeri për zot sepse o janë braktisur, ose mund të jenë në emigracion, dhe rrinë poshtë pallateve. Bëhet fjalë për të pastruar jo vetëm atë segment të rrugës “Aleksandër Moisiu” në Kinostudio, por për të pastruar nga të gjitha rrugicat e Tiranës makina dhe mjete të braktisura. Sapo të kalojë ky vendim, Policia Rrugore dhe Policia Bashkiake do të bëjnë një pastrim total të Tiranës, sidomos në këtë fazë ku kemi mbërritur, ku na duhet çdo vendparkim dhe me turistët e shumëfishuar, dhe me makinat me qira, që janë tërë kohën në lëvizje, është bërë vërtetë një emergjencë”, deklaroi Veliaj./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme